Rrugët në Kosovë janë të mbushura plot me qenë endacak, por institucionet nuk kanë të dhëna se sa është numri i tyre. Shumë edhe nga pronarët që dikur i mbanin në shtëpi, po i lënë në rrugë për shkak të pamundësisë dhe kostos së lartë të kujdesit. Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, zotohen se po bëjnë vaksinimin e tyre dhe kafshëve të tjera, ani pse nuk kanë shifra. Kurse, në Prishtinë së shpejti nis vendosjen e mikroqipave te qentë endacak.
Drejtori i Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve në AUV, Sadik Heta thotë për KosovaPress, se secili qen pavarësisht me ose pa pronar është i vaksinuar.
Sipas tij, është obligim i komunave që të bëjnë vaksinimin kundër sëmundjes së tërbimit të qenve endacak.
Ai tha se projektet komunale që financohen nga komunat për vaksinim të qenve, trajtimin e bëjnë në shtëpia.
Elza Ramadani nga “Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve”, shprehet se në Kosovë nuk po arrijnë të identifikohen qentë me pronar dhe pa ata.
“Qentë endacak vinë pikërisht prej njerëzve të papërgjegjshëm që blejnë qen në mënyrë të pakontrolluar, pastaj i hedhin qentë që nuk i duhen më në rrugë sepse qentë kërkojnë shumë kujdes. Kushtojnë sepse duhet trajtim veterinar dhe trajtime të tjera njëjtë sikur për një anëtar të familjes, pastaj kur kjo bëhet e papërballueshme për shumë njerëz në Kosovë i hedhin qentë në rrugë dhe pastaj ata qen shumohen vazhdimisht me qen tjerë që janë në rrugë ose me qen që bredhin lirshëm”, deklaron Ramadani për KosovaPress.
“Jo nëpër shtëpia nuk është zvogëluar, bile është rritur numri i kafshëve të shoqërimit, qen dhe mace dhe është duke u rrit kujdesi ndaj tyre, është duke u rritë numri i qenve...(1:58) në ferma po, është duke renë numri i gjedheve dhe i të imtave për çdo ditë është duke u zvogëluar”, deklaron ai.
Po ashtu, Elza Ramadani deklaron se institucionet nuk po arrijnë të ndalojnë importin ilegal të qenve.
Ajo konsideron se duhet të ketë më shumë trajnime për veterinarë në fushën e kastrimit dhe sterilizimit dhe trajtimit të kafshëve.
“Asnjëherë nuk ka pas një entitet në këtë rast AUV-i, asnjëherë nuk i ka udhëzuar komunat siç duhet, do të thotë, në një periudhë pak më të vazhdueshme, komunat kanë pas nevojë për këshillim dhe udhëzim dhe kjo ka munguar gjithmonë. Një moskoordinim institucional, neglizhencë e madhe institucionale deri më tani e ka sjellë situatën siç është tash”, vijon Ramadani.
“Veç është duke u punuar në këtë rast, edhe AUV-it ose Qeveria dhe Komuna e Prishtinës është duke punuar për t’i menaxhuar qentë endacak, edhe pse është një problem që nuk mund të zgjidhet shpejtë”, ka deklaruar ai.
Ai po ashtu shtoi se është duke u punuar edhe për vendosjen e mikroqipave te qentë, në mënyrë që pastaj të identifikohen më lehtë.