S’ka kuorum, dështon sërish miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend
Lexohet për: 2 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua
Trembëdhjetë marrëveshje ndërkombëtare kanë dështuar sërish të votohen në Kuvendin e Kosovës, në seancën e sotme plenare. Të njëjtat nuk u hodhën fare në votim, pasi në sallën plenare nuk ishin mbi tetëdhjetë deputetë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se marrëveshjet do të vihen në rend të ditës sërish në seancat e radhës.
Mirëpo, për marrëveshjen ndërkombëtare për ndërtimin e tunelit Tetovë-Prizren pati debat ndërmjet deputetëve.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se kjo marrëveshje ka paqartësi të madhe juridike, ekonomike dhe shkencore.
Sipas tij, ky investim kaq kapital për vendin nuk i referohet asnjë ligji apo rregullore në Kosovë.
Mirëpo atij i reagoi deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, i cili tha se është për keqardhje mosvotimi i kësaj marrëveshje, që sipas tij lidh Prizrenin me Tetovën.
Por, deputeti opozitar tha se ai nuk është kundër ndërtimit të rrugës, por është kundër që në emër të rrugës, siç tha të vidhet./KosovaPress/