S’ka gjobë për Kurtin, arsyetohet mosparaqitja e tij në Prokurorinë Speciale
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Prokuroria Kurti
53 minuta më parë
Linku u kopjua

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka arsyetuar mungesën e kryeministrit Albin Kurti i cili nuk u paraqit sot për të dëshmuar në një rast penal. Ndaj tij nuk do të pasojë gjobë pasi që mos-paraqitja e tij u tha se u bë për shkak se ai ishte në një udhëtim jashtë vendit - të planifikuar më herët.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi tha se paraditen e së hënës janë njoftuar se kryeministri e ka të pamundur paraqitjen në këtë institucion. Ajo tha se do të përgatitet një tjetër ftesë për Kurtin.

Sipas hulumtuesit në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, nuk ka ndonjë afat specifik se kur duhet të bëhet ftesa e radhës për intervistim.

“I mbetet në vlerësim prokurorëve të rastit që të përcaktojnë datën e radhës duke u bazuar në agjendën e tyre në punën e tyre të përditshme. Nuk ka ndonjë afat specifik si në rastin konkret”, shprehet ai.

Shala thotë se shqiptimi i gjobës nuk aplikohet në rastet kur prokuroria e pranon si të arsyeshme mungesën.

Sipas Shalës, nëse Kurti nuk ka asgjë për të fshehur, ftesa për të dëshmuar nuk duhet të shihet problematike.

Pas deklarimit të Prokurorisë Speciale, nga Qeveria e Kosovës thanë se Kurti ka shprehur gatishmërinë “t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”.

Nga Zyra e tij thanë se ai është jashtë vendit në “një agjendë të konfirmuar kohë më parë”./B.Ibishi.

https://kosovapress.com/qeveria-kurti-i-gatshem-ti-mirepres-prokuroret-ne-zyren-e-tij

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024