S’ka fitues në derbin Drita-Llapi, paqe edhe në sfidën Ulpiana-Malisheva
Kryendeshja e xhiros së 20-të në Superligën e Kosovës, ajo ndërmjet Dritës dhe Llapit ka përfunduar pa fitues dhe me rezultatin 1-1.
Lideri i tabelës, Drita ishte nikoqire e Llapit në Gjilan, por iu shmang humbjes duke iu falënderuar një penalltie të cilën në gol e ktheu Cuculi në minutën e 77’, raporton KosovaPress.
Skuadër e Tahir Batatinës e kishte shënuar golin e epërsisë paraprakisht në minutën e 50’ përmes Valmir Veliut.
Drita mbetet lidere e tabelës me 38 pikë, kurse Llapi ka 33 pikë në vendin e katërt.
Edhe sfida tjetër, ajo ndërmjet Ulpianës dhe Malishevës ka përfunduar me rezultat të barabartë 1-1. Ulpiana kaloi në avantazh me golin e Marciel në minutën e 20’ nga penalltia, por shifrat i barazoi Shabani në minutën e 43’.
Pjesa e dytë nuk dhuroi asnjë gol dhe kështu skuadrat u ndanë të kënaqura me nga një pikë nga kjo përballje.
Malisheva ka 23 pikë në vendin e shtatë, kurse Ulpiana 19 pikë një pozitë më poshtë.