Sitiuata në veri, Musliu: Skenar i Serbisë për ta larguar Policinë e Kosovës
Lexohet për: 8 min.
Musliu-290523
1 vit më parë
Linku u kopjua

​Drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu, thotë se situata e krijuar në veri të vendit është skenari i Serbisë për ta larguar Policinë e Kosovës nga komunat veriore. Ai ngre shqetësimin se në protestat e serbëve në veri të vendit po marrin pjesë rreth 350 ish-pjesëtarë serbë të PK-së, e të cilët e kanë me vete edhe armatimin e Republikës të Kosovës, të cilin nuk e kanë dorëzuar pas dorëheqjes. Madje, thekson se në këto protesta ka edhe pjesëtarë të policisë së Serbisë.

Sipas tij, protestat e dhunshme në veri të vendit gjoja për të penguar kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, janë të diktuara nga Vuçiqi me qëllim të blerjes së kohës nga ky i fundit deri në përfundim të luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë, në mënyrë që të përfitojë.

Eksperti i sigurisë në një intervistë për KosovaPress tregohet kritik ndaj bashkësisë ndërkombëtare, për të cilën thotë se edhe duhet të zgjidhë situatën në komunat në veri të vendit.

Sa i përket të maskuarve që u panë sot në mesin e protestuesve në veri, eksperti i sigurisë thotë se të njëjtit janë edhe pjesëtarë të BIA-s serbe.

“Organizatorë për rend, qetësi të mbarëvajtjes të kësaj proteste të dhunshme ishin ish-policët e Kosovës, të pakicës serbe, të cilët dhanë dorëheqje para disamuajsh, diku rreth 550 të tillë, të cilët nuk e kanë dorëzuar armatimin e Republikës së Kosovës dhe e kanë me vete edhe sot... Sa i përket të maskuarve që i pamë në masë, janë pjesëtarë të kësaj policie, të BIA-s, të ‘Rojeve të urës’, të cilët janë të udhëhequr nga Aleksandër Filipoviq, ish-polic i Republikës të Kosovës, i cili ka lidhje të drejtpërdrejtë me shërbimet sekrete serbe GRU dhe FSB. Është i dekoruari i Aleksandër Vuçiqit para disa javësh në Beograd. Ndërsa, udhëheqës i ‘Rojeve të urës’, të organizatës ilegale është Milun Milenkoviq ‘Lune’. Në mesin e tyre mund të shohim edhe pjesëtarë të tjerë, të cilët nuk janë parë në jetën e rëndomtë në veriun e Kosovës. Mund të jetë e involvuar edhe pjesa e Wagner-it nga Beogradi. Por, çka është interesante para Kuvendit komunal të Zveçanit shihen edhe majori Ivan Aksentijeviq, togeri Dejan Vuçeniq dhe togeri tjetër Milis Vlaskoviq. Do të thotë pjesëtarë të policisë serbe dhe të BIA-s janë të involvuar drejpërsëdrejti në këtë operacion siç e quajnë ata, për lirimin e objekteve të tyre, siç pretendojnë ata”, thotë ai.

Në një intervistë për KosovaPress, eksperti i sigurisë flet edhe për metodat që Serbia po përdorë për të arritur synimet e saj në Kosovë, për çka apelon ndërkombëtarët që të mos bien në grackën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Në mes të protestuesve në Leposaviq, mund ta shihni një zonjë e cila deklarohet para policit se aty punon për 35 vjet, dhe don të hyjë në vendin e saj të punës dhe asgjë tjetër. Por, nëse analizojmë pak më shumë, ajo zonjë më shumë se 45-47 vjet nuk mund t’i ketë. Do të thotë ajo i bie që në moshën 10-vjeçare paska hyrë të punojë në Kuvendin e Leposaviqit, që është një gënjeshtër e kulluar. Do të thotë, i gjithë skenari është përgatitur për ta larguar Policinë e Kosovës nga veriu i Kosovës, që është edhe kërkesa e tyre. Në këtë grackë nuk guxon të bie as KFOR-i, as QUINT-i, as të gjithë akterët tjerë... Sepse po u largua policia e Kosovës, atëherë këto banda kriminale do të udhëheqin me pjesën veriore të Kosovës dhe do të ketë situata shumë të palakmueshme në të ardhmen. Do të thotë kjo kërkesë e diktuar nga Vuçiqi është e papranueshme dhe na flet që A. Vuçiq, gënjeshtari që blen kohë vazhdueshëm me këto manovra, me këtë dhunë që e shfaq në veri, mundohet që të blejë kohë për shkak të epilogut të luftës në Ukrainë”, thotë ai.

Musliu komenton edhe kërcënimet e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq për gatishmërinë e ushtrisë serbe, dhe dislokimin e ushtrisë nga Vuçiqi.

Sipas tij, kërcënimet e Serbisë dhe situata e krijuar në t veri të vendit do të zgjasë derisa të mos ushtrohet presion ndaj Aleksandër Vuçiqit.

“Aleksandër Vuçiq, gënjeshtari më i madh i rruzullit tokësor deri më sot, për këto vite sa është në pushtet mbi 3 mijë herë e ka përdorur fjalën ‘luftë’ dhe ka kërcënuar me luftë. Nuk është çudi edhe që ka marr vendim të dislokojë ushtrinë serbe në kufi me Kosovën... Për tërë këto vite bashkësia ndërkombëtare na ka penguar në shtetformimin e plotë të Republikës të Kosovës dhe në përmbushjen e kapaciteteve të saj, si të mbrojtjes, si politike, etj. Prandaj, unë them se janë përgjegjës edhe për zmbrapsjen e së keqes që i kanoset Kosovës. Ata duhet të merren me qetësinë dhe rregullin në Kosovë. E kanë të qartë që para vetes e kanë një shtet kriminel... Kjo do të zgjasë aq sa do të bëhet presion në Aleksandër Vuçiqin, sepse ai njeh veç gjuhën e dhunës, asgjë tjetër. Do të thotë, nëse jeni më i fortë ai do të lëshojë pe, nëse jeni më i dobët ai do të vazhdojë”, thotë Musliu derisa thekson se nëse Vuçiq afrohet në kufi, do të përballet me NATO-n.

Ai përmendi edhe vizitat e politikanëve serbë në Rusi, për çka tha se presidentit rus, Vladimi Putin, i konvenon të ndezë një krizë në Ballkan për tu faktorizuar prapë në skenën ndërkombëtare dhe për të minimizuar atë që ndodh në Ukrainë.

Sa i përket simbolit “Z”, i cili u shfaq sot nga pjesëtare të grupeve kriminale serbe, Musliu tha se nuk është asgjë më shumë sesa motivim për serbët për të vepruar në terren.

“Iu duket se janë të mëdhenj, mishërohen me atë shkronjë, e shkruar dhe asgjë tjetër. E pamë se si kaloi kjo ‘Z’ në Ukrainë, u zhduk e tëra”, thekson ai.

Musliu kritik shprehet për sjelljen e djeshme të raportueses për Kosovën, Viola Von Cramon, karshi policëve të Kosovës në veri gjatë qëndrimit të saj atje.

“Znj. Cramon e din në veri të Kosovës kush vepron, dhe çfarë ka ndërmend të bëjë. Ka ndërmend të bëjë kaos. Dhe, megjithatë, i pyet policët se çfarë kanë ndërmend të bëjnë aty. Dhe, unë mendoj që nuk e ka menduar mirë dhe është gabim shumë i madh i saj, dhe mendoj se në momentin emocional e ka thënë këtë”, thotë ai.

Në intervistën për KosovaPress, ai thekson se nuk ka nevojë për panik dhe se politika dhe segmenti i sigurisë duhet të kryejnë punën e tyre.

https://kosovapress.com/admin/von-cramon-ne-veri-pash-nje-situate-jo-te-duhur-i-takon-qeverise-te-marre-vendimet/

Në fund, eksperti i sigurisë, vlerëson lart punën e pjesëtarëve të Policisë të Kosovës, për të cilët tha se po kryejnë detyrën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme, derisa thotë se edhe mënyra e tyre e punës është për t’u vlerësuar.

Mëngjesin e sotëm, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur para objekteve komunale në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë.

https://kosovapress.com/admin/situata-ne-veri-kerkohet-koordinim-me-aleatet-nderkombetar/

Në mesin e tyre prezent kishte edhe njerëz me maska, e për të cilët Instituti Octopus ka ngritur shqetësimet se mund të ketë të gatshëm për sulme terroriste.

Policia e Kosovës dhe KFOR-i kanë shtuar praninë, ndërkohë që serbët në Zveçan kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të pjesëtarëve të institucionit të sigurisë së Kosovës.

https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8banalistja-serbe-me-z-ne-veture-te-kfor-it-amerikan-treguam-se-e-perkrahim-fashizmin-rus/

Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka theksuar të hënën nevojën për de-eskalimin e situatës në veri.

Më 26 maj, Policia e Kosovës i ka ndihmuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit për të hyrë në zyrat komunale, me gjithë kundërshtimet e ashpra të disa banorëve serbë vendas, që kanë çuar në përleshje me pjesëtarët e policisë. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024