Sigurohen zyrat për votim pro ose kundër largimit të kryetarëve në veri më 21 prill
Lexohet për: 4 min.
KQZ
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se janë siguruar zyrat për procesin për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat veriore. Përveç kësaj, në mbledhjen e KQZ-së me 11 vota pro u votua për regjistrimin e Partisë Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar, kështu duke e çuar në 52 numrin e partive të përgjithshme në vend. Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj prezantoi raportin lidhur me përgatitjet për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024. Ai tha se ky proces do të mbahet në hapësirat e objekteve të administratës komunale.

Ahmetaj theksoi se nga raporti i bërë rezulton se në Komunën e Mitrovicës së Veriut, zyra është e demoluar dhe nga aty do të lëvizet gjithë materiali i dëmtuar dhe ai i cili është në përdorim. Ai shtoi se në Zubin Potok materialet pothuajse nuk janë gjetur, derisa për atë të Zveçanit tha se një pjesë e materialeve janë të përdorshme.  Ndërkaq, për zyrën në Leposaviq tregoi se është e pa dëmtuar dhe të gjitha pajisjet janë funksionale.

Lidhur me prezantimin e këtij raporti, anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi ka pyetur Ahmetajn nëse në zyrat e komunave të përmendura janë shkatërruar edhe materialet e shkruara arkivore. Derisa Ahmetaj potencoi se në zyrën e Zubin Potokut, nuk ka pasur asnjë material. Për këtë, Kurteshi tha se mund të konsiderohet si vepër penale, ngase sipas tij çdo i punësuar në institucionet shtetërore, me rastin e dorëheqjes duhet ta bëjë edhe një raport me punëdhënësit për dokumentet e pranuara dhe nëse nuk i dorëzon në mënyrën e rregullt pajisjet, zyrën dhe  dokumentet, i njëjti duhet të ndëshkohet.

Ndërsa, anëtari i KQZ-së, Alban Krasniqi tha se raporti duhet të plotësohet, derisa specifikoi atë të zyrës në Komunën e Mitrovicës Veriore. Ai tregoi se ish-zyrtari, atë ditë kur i është kërkuar çelësi, nuk e ka sjellë çelësin dhe ka refuzuar t’i përgjigjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që sipas tij kjo ka bërë që të rrezikohet jeta e zyrtarëve atë kohë. Krasniqi iu drejtua Ahmetajt lidhur me këtë duke i thënë se është përgjegjësi e kryeshefit që lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me pronën publike, me pajisjet e KQZ-së në këtë rast të përcillen me kujdes. Ai tha se mos dorëzimi i çelësit të zyrës, rasti duhet të hapet në polici.

Përveç kësaj , në mbledhjen e mbajtur sot, KQZ-ja me 11 vota pro votoi për regjistrimin e Partisë Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar me akronimin (PBKDSH). Drejtori i Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, Besnik Buzhala tha se me 26 shkurt të këtij viti, kjo parti e cila udhëhiqet  nga Nikollë Perkaj ka dorëzuar aplikacionin për regjistrim. Buzhala potencoi se me dorëzimin e dokumentacioni në përputhje me kërkesat ligjore që rrjedhin prej ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullores zyra i rekomandon KQZ-së për aprovimin e kërkesës për regjistrim të kësaj partie. /Z.Zeneli

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025