Sigurimet shëndetësore vazhdojnë të jenë sfidë e madhe për shëndetësinë kosovare
Lexohet për: 6 min.
diskutimi-per-sigurimet-shendetesore-121222
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ngritja e skemës së sigurimeve shëndetësore është ndër sfidat më të mëdha të sektorit të shëndetësisë, ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë thonë aktualisht po punojnë në fazën emergjente të Sistemit Informativ Shëndetësor, por edhe në udhërrëfyesit dhe protokollet klinike me qëllim që t’i hapet rrugë implementimit të kësaj skeme.

Kështu u tha në një tryezë të organizuar me rastin e shënimit të  Ditës Ndërkombëtare të Mbulimit Universal me Shërbime Shëndetësore,  diskutim ky i organizuara nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK  me temën “Pse pas 8 vjetësh nga miratimi i ligjit nuk kemi sigurime shëndetësore?!” Ndërsa, një raport i publikuar nga kjo po Shoqatë flet për rënien dukshëm të shërbimeve shëndetësore në Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha u shpreh se ngritja e sigurimeve shëndetësore është një ndër sfidat më të mëdha të sektorit të shëndetësore.

Ajo theksoi se Ministria e Shëndetësisë po punon në udhëzimin administrativ për udhërrëfyesit dhe protokollet klinike, si dhe në Sistemin Informativ Shëndetësor.

Gexha konsideron se me këto dy veprime i hapin rrugë jetësimit të sigurimeve shëndetësore.

“Ngritja e sigurimeve shëndetësore është një ndër sfidat më të mëdha të sektorit të shëndetësisë... Jemi duke punuar në dy drejtime si Ministri e Shëndetësisë në përgatitje intensive në hartimin e udhërrëfyesve dhe protokolleve. Kemi një numër shumë të vogël deri më tash që janë hartuar, i kemi identifikuar problemet me pjesën legjislative ku në planin të plotësohet -ndryshohet udhëzimi administrativ për udhërrëfyesit dhe protokollet klinike në një anë por edhe një plan i qartë për vitin 2022, se cilat udhërrëfyes dhe protokolle janë me prioritet... Sistemi i Informimit Shëndetësor jemi në fazën e asaj afat-shkurte apo emergjente duke u marrë me zgjerimin e tij dhe plotësimin e tij derisa në anën tjetër shumë shpejt do të fillojë studimi i fizibilitetit të SISH aktual... Nëse kemi sukses në këto të dyja, rruga në ndërtimin e sigurimeve shëndetësore  është e hapur. Jemi duke punuar edhe me ritëm të shtuar, por nuk duhet të nxitojmë ky proces nuk bënë të jetë i pjesshëm ai duhet të jetë i plotë dhe gjithëpërfshirës”, u shpreh Gexha.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Bujar Kaçuri u shpreh se programi për trajtim jashtë vendit, por edhe mungesa e listës së padefinuar të shërbimeve si dhe çmimorja kanë qenë problematike për të kryer detyrimet për të cilat është krijuar ky institucion.

Ai tha se përmes një plani të kompletuar synojnë në të një të ardhme jo të largët të nis së implementuari skema për sigurime shëndetësore.

“80% e aktivitetit tonë fokusohet në programin për trajtim jashtë vendit në të cilin kemi evidentuar një mori problemesh që e kemi trashëguar në një borxh mbi 30 milionë euro. Gjithashtu, problem kemi referimet e shumta pacientëve për trajtim jashtë vendit, dhe pamundësia për t’u dalë në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë për trajtim jashtë vendi. Ky program është i organizuar me një akt administrativ i pandryshuar që nga viti 2016 dhe ende nuk është bërë asnjë ndryshime. Në këtë formë të organizimit ka pasur probleme gjatë  gjithë kohës, mënyra e organizimit ka qenë ndoshta jo e duhura, mirëpo tash është në plan që ky udhëzim të ndryshohet dhe në bazë të mangësive të evidentuara t’i sanojmë dhe të gjejmë një rrugë që të dalim nga kjo problematikë që nuk është e vogël dhe lehtë e zgjidhshme. Sfidë kryesore mbetet ky program”, theksoi Kaçuri. 

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku theksoi se ligji për Sigurime Shëndetësore kërkon ndryshime, derisa theksoi se janë në fazën e përgatitjes së pakos bazike. Ajo u shpreh se Kosovë kompanive private të sigurimeve iu është dhënë monopol.

“Krejt vëmendja dhe krejt fokusi i një institucioni që është krijuar me ligj është zhvendosur te trajtimi jashtë vendi. Çka kemi konstatua pas ardhjes ne kemi konstatua fillimisht një borxh enormë që është lëndë 31 milionë euro nga trajtimi i pacientëve jashtë vendit... Duhet të përcaktohet fillimisht pakoja bazike në të gjitha nivelet... Në Kosovë fatkeqësisht iu është dhënë një monopol gjithë këto  vite, ata operojnë në Kosovë kanë të siguruar mirëpo me përgjegjësi të plotë po ua them se keqpërdorin edhe Republikën e Kosovës edhe qytetarët sepse ju e dini që diskriminimi fillon aty ku mosha 65-vjeçare e sipër nuk sigurohen, nuk sigurohen qytetarët me sëmundje paraekzistuese”, theksoi ajo.

Në këtë tryezë është prezantuar edhe një hulumtim lidhur me koston e shpenzimeve spitalore, sipas të cilit ka krahasuar nga viti 2016 me atë të vitit 2020 ka rënie në marrje të shërbimeve spitalore.

Agron Bytyqi nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, tha se ndonëse buxheti për barna është rritur, ka rënie dyfishim të rënieve të shërbimeve.

Ai theksoi se 24% e buxhetit mesatare të një familje shpenzohet për blerje të barnave.“Këtu po e shihni një trend të shërbimeve që janë ofruar në ShSKUK nga viti 2016 ku janë rreth 865 mijë ditë shërimi deri në vitin 2019, 162 mijë pacientë të shtrirë dhe ky trend  ka rënë në vitin 2020 që sigurisht që ka ndikuar edhe pandemia.... Nga viti 2016  kanë qenë diku rreth 40 mijë operime dhe  23 mijë lindje dhe 1.4 milionë vizita ambulantore, në vitin 2019 janë 42 operime, 21 mijë lindje, dhe 1.6 milionë vizita ambulantore, në vitin 2020 po shihet rënia që është diku prej 16 mijë operacioneve dhe për 600 mijë vizita më pak. Do të thotë numri i shërbimeve ka rënë dukshëm... Nga viti 2016  deri në vitin  2021 ka qenë 24 milionë, ka vazhduar pak a shumë njëjtë deri në vitin 2018 ku ka arritur në 28 milionë, 29, 33 dhe në vitin 2021 ka qenë 50 milionë. Siç po e shihni buxheti për barna në ShSKUK është dyfishuar, dhe numri i shërbimeve që pothuajse ka qenë dyfish më i vogël”, theksoi ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025