Ishte një mëngjes gri dhe i ftohtë, data 4 mars, në Bucha të Ukrainës. Deri në mbrëmje, të paktën nëntë persona do të përshkonin rrugëtimin e vdekjes drejt godinës nr 144 në rrugën Yablunska, objekt të cilin rusët e kishin shndërruar në një tjetër epiqendër të dhunës që do të trondiste mbarë botën.
Ajo çfarë ndodhi atë ditë në Bucha, quhej nga ushtarët rusë “zachitska” gjatë telefonatave të regjistruara – fjala do të thotë spastrim. Ushtarët rusë kapnin persona emrat e të cilëve gjendeshin në lista të përgatitura nga shërbimet e tyre të zbulimit, si dhe shkonin derë më derë për të identifikuar dhe vrarë personat që konsideroheshin me rrezikshmëri.
Në kuadrin e një investigimi të përbashkët, agjensia e lajmeve Associated Press dhe emisioni “Frontline” shqyrtuan qindra orë filmime nga kamerat e survejimit në Bucha dhe verifikuan regjistrimet e telefonatave nga ushtarët rusë në bashkëpunim me Qendrën Dossier, një organizatë investigative me seli në Londër. Gjithashtu, kompania nga Nju Jorku SITU Research, rindërtoi rrjedhën e ngjarjeve duke përdorur një model tre dimensional të qytetit Bucha.
Në 3 mars, një autokolonë ruse që dukej se nuk kishte fund arriti në Bucha përgjatë shinave të trenit. U dha urdhëri për evakuim. Në kaosin e krijuar gjatë përparimit të forcave ruse, tetë vullnetarë ukrainas u veçuan nga të tjerët. Ata u fshehën në një shtëpi me tulla aty pranë dhe dëgjonin në heshtje kërcitjet e armëve dhe lëvizjen e tankeve ruse.
Gjatë orëve në vazhdim, ushtarët rusë dërguan gjithnjë e më shumë persona drejt godinës në rrugën Yablunska, përfshirë 20-vjeçarin Dmytro Chaplyhin, një punonjës dyqani me fytyrë fëminore, të cilin të gjithë e quanin Dima. Ndërsa ushtarët e morën Dimën, gjyshja e tij, Natalia Vlasenko, ra në gjunjë dhe iu lut më kot që të mos e preknin. "Gjyshe, mos u shqetëso!", thirri Dima, ndërsa u nis me ushtarët drejt godinës 144 në rrugën Yablunska. "Do të kthehem!" Kjo ishte hera e fundit që ajo e pa të gjallë.
Kur rusët morën Iryna Volynetsën në rrugën Yablunska, ajo njohu një nga burrat e rreshtuar në rrugë si shokun e saj të vjetër të shkollës, Andrii Verbovyin. Ai qëndronte i rrëzuar mënjanë dhe i rridhte gjak. Ajo vuri se ai po dridhej dhe u panë sy më sy. E tronditur, zonja Volynets nuk e vuri re menjëherë se djali i saj, Slava, ishte gjithashtu i gjunjëzuar në po atë rrjesht. Më në fund, ajo e njohu nga xhaketa dhe pantallonat. Ai kishte marrë një goditje në brinjë dhe po merrte frymë rëndë.
Skyba u godit aq fort në fytyrë, saqë i ranë dhëmbët. Vetullat e tij u çanë dhe gjaku iu derdh përmbi fytyrë. Rusët ia lidhën duart pas shpine, i vunë një kovë mbi kokë dhe e gjunjëzuan pas një muri. E goditën në kokë derisa humbi ndjenjat. "Çfarë duhet të bëjmë me këta?", Skyba dëgjoi një rus të thotë. "Vritini", u përgjigj një tjetër. "Por largojini së pari që të mos dergjen këtu". Ushtarët rusë i çuan vullnetarët në një oborr të vogël aty pranë, ku gjendej tashmë një trup i pajetë. Në vazhdim, dy ushtarë filluan të qëllonin.
Skyba ndjeu një plumb që e shpoi anash dhe u përplas në tokë. Ai bëri sikur kishte vdekur, ndërsa kishte frikë se rusët do të vinin re avullin nga frymëmarrja e tij. “Po prisja errësirën”, tregon ai. "E tmerrshme ... nuk mund ta shpjegoj ... Thjesht e tmerrshme".
Për tre ditët në vazhdim, Skyba u mbajt atje, pa i treguar askujt për plagën e tij nga plumbi. I vetmi tualet që ekzistonte ishte i prishur. Fëmijët qanin. Të rriturit luteshin.
Më 7 mars, Skyba dhe të tjerët u lejuan të largoheshin nga bodrumi. Të gjithë të tjerët që ishin kapur me të, përveç atij që u dha informacion rusëve, ishin të vdekur. Ai mori syzet e tij, të cilat i kishin rënë pranë një trupi dhe doli jashtë. Ushtarët rusë u treguan familjeve të tyre në telefonata për masakrën. Një ushtar i quajtur Maksym i tha gruas së tij më 21 mars: "Mendoj se po çmendem. Unë tashmë kam vrarë kaq shumë civilë". Tashmë familjet e qytetit Bucha presin një drejtësi që mund të vijë ose jo. Gruaja e zotit Dvornikov, Truba, së bashku me Skyban dhe të afërmit e dy personave të tjerë të vrarë në rrugën Yablunska, kanë ngritur një padi kundër Rusisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. “E gjithë bota e civilizuar duhet të pranojë se ishin vrasje”, tha ajo. “Dua të vërtetoj se nuk janë gënjeshtra dhe se me të vërtetë kanë ndodhur”./VOA