Shumë njerëz të vullnetit të mirë ndihmuan gjyshin me dy nipat jetim për Vitin e Ri
Lexohet për: 5 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Pas raportimit të KosovaPress-it për gjendjen e rendë ekonomike të qytetarit 70-vjeçar nga Prishtina, i cili përkujdeset për nipin dhe mbesën e tij, shumë qytetarë i dolën në ndihmë gjyshit Hamit Demiri për natën e Vitit të Ri.

Gjyshi, dy ditë para Vitit të Ri nuk pati qumësht e as ngrohje për dy nipat jetim.

Demiri me urime dhe falënderime, i kënaqur me ndihmën që njerëzit e kanë bërë për familjen e tij, tregon se sa i dolën në ndihmë ata. Ai thotë për KosovaPress se falë vizitës nga shumë njerëz të vullnetit të mirë, gjendja është më e mirë.

“Shumë faleminderit edhe atyre që më kanë ndihmuar edhe ju që keni qenë, sepse po ka pasur vizitorë shumë edhe në shtëpi edhe në telefonata më kanë thirre shumë, shumë faleminderit nga ata që më kanë ndihmuar shumë faleminderit. Kanë sjellë harxh për fëmijë dhe tani ka gati për 2 muaj mjaftueshëm”, thekson ai.

Demiri teksa tregon për ndihmën që njerëzit e kanë bërë për familjen e tij, theksoi se tani jeta e tyre është më e lehtë, sepse nipi dhe mbesa e tij kanë ushqim më shumë.

Jeta është më e lehtë, sepse fëmijët kanë harxh boll sa donë, që na kanë sjellë për Vitin e Ri. Fëmijët kurrë kështu nuk kanë pasur rezerva. Shumë faleminderit edhe nga ata edhe nga ju që keni qenë edhe ju falënderoj ju më së pari, por edhe ata që kanë sjellë ushqim”, thekson ai.

Gjyshi përveç gjërave elementare ushqimore për dy nipat jetim, tregon se edhe problemin e ngrohjes e ka zgjidhur.

“Drutë pasi të mbarojnë  festat do t’i blejë 2 ose 3 metra kub, dhe besoj se do të më mjaftojnë boll. Një mesazh për ata që më kanë ndihmua shumë faleminderit edhe për ata që nuk më kanë ndihmuar faleminderit nga të gjithë", thotë ai.

Dy ditë para Vitit të Ri, në këto ditë dimri ata nuk kishin mundësi financiare për të blerë dru për ngrohje, e as gjërat elementare për jetë.

Bashkëshortja e djalit, i la dy fëmijët e vegjël dhe iku pa paralajmërim. Kështu thotë gjyshi Hamiti, i cili krejt këtë situatë po e përjeton rëndë. Edhe pse në gjendje të rëndë shëndetësore, tash e dy muaj, ai nuk e ka hallin për veten e tij, por të nipave të tij.

70-vjeçari çdo ditë zgjohet dhe mundohet të sigurojë ushqimin për nipin e mbesën e tij. Ai hyri edhe borxh tek djali i vëllait për t’i blerë qumësht nipave. Vet i lanë, e vet ka vendos të kujdeset deri në frymën e fundit për nipin dy vjeçar, e mbesën tre vjeçare.

I lodhur dhe i sëmurë, ai shpenzon deri në centin e fundit të pensionit e tij, për t’i blerë gjërat ushqimore për dy të vegjlit, por nuk po ia del. E krejt çka dëshiron është që atyre mos t’i mungojnë gjërat elementare.

Demiri jeton me bashkëshorten e tij të sëmurë, dy nipat, djalin dhe vajzën e tij në lagjen Vranjevc, të Prishtinës. Këta të fundit kërkojnë punë, por zor se në këtë dimër mund të sjellin të holla në shtëpi.

Demiri derisa tregon se si kujdeset për të vegjlit në shtëpi, thotë se shpesh edhe atij i përkeqësohet gjendja shëndetësore dhe detyrohet të thërras edhe ndihmën e shpejtë.

Gjyshi Hamiti tha se ai tashmë veçse ka hequr dorë nga jeta e tij, dhe gjëja e vetme për të cilën jeton janë nipi e mbesa e tij, për të cilët do të bënte gjithçka, vetëm që atyre mos t’u mungojë asgjë në jetë.

Ai tha se për t’i blerë qumështin e pelenat, ka hyrë edhe në borxh, të cilin nuk ka mundur ta shlyej ende.

Hamiti tregon se shtesat e fëmijëve të cilat i takojnë të vegjëlve jetim, i merr nëna e tyre. Sipas tij, me shtesat nga 10 euro për fëmijë, ai do t’i blinte ushqimin, por se as ato nuk i ka.

Gjyshi Demiri ka thënë për KosovaPress, se nusja i ka lënë fëmijët e vegjël pa asnjë lajmërim dhe se nuk ka dashur që të kthehet e të kujdeset për ata.

Ai tha se fëmijët e tij edhe pse e kanë pasur nënë e tyre, ata janë rritur në duart e gjyshit.

Familja Demiri pa asnjë të ardhur financiare vetëm me pensionin e zotit të shtëpisë e me dy fëmijët jetim, nuk kanë mundur t’ i sigurojnë as drutë për t’u ngrohur në këtë dimër.

Krejt çka kanë ata në këtë ftoftë janë disa copëza të falura nga njerëzit, e ajo çka kërkon Demiri thotë se vetëm t’i sigurojë një jetë më të mirë nipit e mbesës së tij, për të do ishte mjaftueshme.

Të gjithë ata që kanë që kanë mundësi ta ndihmojnë gjyshin dhe dy fëmijët, mund të thërrasin në tel: +38344/ 50 77 66

https://kosovapress.com/gjyshi-qe-nuk-ka-feste-qumesht-as-ngrohje-per-dy-nipat-jetim/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024