Therja e kurbanit vazhdon të jetë një ritual i rëndësishëm fetar e kulturor që përcakton Kurban Bajramin. Besimtarët myslimanë, siç thonë ata, i përgjigjen thirrjes së Zotit për bamirësi, derisa njohësit e fesë potencojnë se qëllimi i këtij akti është afrimi me Zotin. Rritja e çmimit të kurbaneve, pavarësisht se po krijon pakënaqësi te blerësit, kjo nuk i ndalon ata për ta kryer këtë obligim fetar.
Imami i Xhamisë “Bedri Kamberi” në Prishtinë, Labinot Maliqi thotë se kurbani si akt daton që nga njeriu i parë, Ademi, derisa potencon se qëllimi i therjes së kurbanit është afrimi me Zotin dhe bamirësia.
Blerja e kurbaneve nga qytetarët e besimit islam bëhet nëpër ferma apo edhe vende të tjera.
Ferma “Te Gasht” tash e disa vite merret me blegtori, duke bërë mbajtjen, shitjen dhe therjen e kurbaneve.
Ndërkaq, një fermer tjetër, i cili nuk ka dëshiruar të prononcohet para kamerës thotë se çmimi i deleve fillon nga 230 deri në 300 euro.
Ani pse çmimet janë ngritur, besimtarët myslimanë po vazhdojnë ta bëjnë prerjen e kurbanit.
Edhe Gani Sijarina thotë se ditën e Kurban Bajramit do ta bëjnë therjen e kafshës. Ai tregon se e shpërndajnë mishin e kurbanit në tri apo më shumë pjesë, ashtu siç e thotë edhe feja islame, porse shton se disa edhe nuk e pranojnë atë.
Dita e parë e Kurban – Bajramit është të dielën më 16 qershor 2024. Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. /Z.Zeneli/