Dje pas orës 14:00, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka pranuar njoftim verbal nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë për ndalimin e të gjitha ngjarjeve në kuadër të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan”. Ndalesa u komunikua zyrtarisht si urdhër për të ndërprerë tubimin, fillimisht në formë verbale e pastaj edhe në formë të shkruar, duke përfshirë të gjitha aktivitetet e ndërlidhura me festivalin, si ngjarjet publike edhe ato të planifikuara vetëm për mysafirët.
Me këtë urdhër, përmes aplikimit të masave disproporcionale, Ministria e Punëve të Brendshme e ka shkelur Kushtetutën e Serbisë, specifikisht lirinë e shprehjes dhe lirinë e tubimit, si dhe një numër ligjesh, duke përfshirë të paktën dy nene të Ligjit për Tubime Publike. Vendosja e barrës mbi organizatorët në vend se të merren me huliganët dhe dështimi për të siguruar tubimin është kundër rendit ligjor dhe kushtetues të Republikës së Serbisë si dhe kundër standardeve e praktikave në fuqi të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Festivali “Mirëdita, Dobar Dan!” nuk është armiku i shtetit, por huliganët me të cilët shteti është rreshtuar dhe për hir të së cilëve ka dështuar të përmbushë obligimet e veta. Detyra fundamentale e shtetit është të sigurojë të drejtat dhe liritë e garantuara me ligj dhe të sanksionojë në mënyrë të duhur ata që shkelin këto apo organizohen kundër të drejtave dhe lirive të qytetarëve.
Përgjatë pranisë sonë në ndërtesën ku ishte i supozuar të mbahet festivali nën mbikëqyrjen e policisë, huliganët arritën të vendosin një dry në daljen e jashtme, duke krijuar një situatë ku njerëzit po mbahen peng brenda ndërtesës para syve të anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilët pretendojnë se nuk mund të ndërhyjnë.
Kjo ndalesë përbën shkelje të lirisë për tubim, lirisë së lëvizjes dhe lirisë së shprehjes. Kjo poashtu shuan çdo iluzion se kjo qeveri ka për prioritet një zgjidhje paqësore për çështjen e Kosovës apo integrimin evropian të Serbisë.
Dje dhe sot, grupe të ndryshme huligane dhe neo-naziste si Delije Sever, Patrolla e Njerëzve, Grupi 451 dhe Zetropa Serbia u lejuan që lirshëm të zaptojnë hapësirën Dorcol Platz, hapësira kulturore ku ishte menduar të niste festivali. Dje, muret e jashtme të Dorcol Platz-it u ngjyrosën me mesazhe kërcënuese shoveniste të drejtuara për mysafirët e festivalit. Incidenti menjëherë u raportua në polici dhe më pas mesazhet u fshinë nga organizatorët.
Sot një grup prej rreth 150 huliganëve që dukeshin uniform, ndaloi trafikun në rrugën Dobraqina dhe bllokoi hyrjen e Dorcol Platz-it, ashtu që asnjë nga mysafirët e festivalit si dhe organizatorët e punëtorët e hapësirës të mos mund të hynin apo të dilnin nga oborri prej orës 12:00 pasdite. Një numër i pamjaftueshëm i anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme ndodheshin në hapësirë dhe MPB nuk dërgoi përforcime, duke dhënë përshtypjen se as që kishte vullnet për hapje të festivalit.
Ky veprim i jashtëligjshëm dhe i dhunshëm nga një grup huliganësh po ndodh në të njëjtën kohë kur zyra e Nismës pranoi kërcënime për bombë sot, dhe imazhet e huliganëve të gatshëm për të përdorur armë të ftohta për të na heshtur ne kanë qarkulluar në rrjete sociale. Qytetarët që ishin afër Dorcol Platz morën shpjegim nga anëtarët e policisë se kishte të bënte me një protestë paqësore kundër festivalit, që në fakt nuk korrespondon aspak me situatën në realitet, duke qenë se në fakt kishim të bënim me grupe të koordinuara e të organizuara të huliganëve.
Gjithashtu shprehim keqardhje të thellë për këtë rast dhe ndajmë shqetësim të vërtetë për gjendjen e një shoqërie të karakterizuar nga dhuna, urrejtja dhe jotoleranca - një model i sjelljes të cilin zyrtarët dhe institucionet dështojnë ta njohin e ta pranojnë si kundërshtues dhe të rrezikshëm. Ndërkohë, qytetarët që avokojnë për paqe e pajtim ballafaqohen me ndalesa. Jemi të zemëruar nga keqpërdorimi i vazhdueshëm i ligjeve për tubime publike dhe dështimit të shtetit për të përmbushur përgjegjësitë e veta ligjore. Gjithashtu besojmë se mbështetja e komuniteteve ndërkombëtare në Kosovë dhe në Serbi për këtë festival ka qenë e paktë këto ditë. Është shqetësuese se si misione që promovojnë pajtimin, demokracinë dhe lirinë e shprehjes kanë qëndruar në heshtje në një kohë kur këto vlera fundamentale janë shkelur publikisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Për disa javë, e kemi dënuar keqinformimin në sferën publike, duke tentuar të flasim me sa më shumë njerëz dhe të qartësojmë përmbajtjen e programit të festivalit. Për shkak të një fushate të koordinuar dhe dëmit të shkaktuar nga individë të caktuar, zyrtarë dhe media përmes shpërndarjes së informacionit të pasaktë dhe nxitjes së urrejtjes, kemi nisur edhe procedura gjyqësore. Përmes ndalimit të festivalit që promovin liri artistike, institucionet e kanë shkelur politikën e tyre të deklaruar për normalizimin e raporteve me Kosovën. Pas një dekade të organizimit të festivalit “Mirëdita, Dobar Dan!” mesazhi i pajtimit dhe nevoja urgjente për krijimin e hapësirës për komunikim ndërmjet dy shoqërive për ndërtim të paqes tani janë më të rëndësishme se kurrë më parë.