Shteti i mbështet pak, familjarët sfidohen me trajtimin e fëmijëve me autizëm
Lexohet për: 3 min.
autizmi-010423
1 vit më parë
Linku u kopjua

Edhe në Kosovë do të shënohet Dita Botërore e Autizmit. Shoqata “Autizmi”, do të organizojë nesër disa aktivitete dhe një marsh përgjatë shesheve të Prishtinës, që ka për qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë, përkitazi rëndësisë së përkrahjes së fëmijëve që vuajnë nga kjo sëmundje.

Mendime Kosumi, psikologe dhe mbikëqyrëse e punës terapeutike në Shoqatën “Autizmi”, në Prishtinë, në një intervistë për KosovaPress, thotë se këtë vit kjo ditë do të shënohet nën moton “Bashkë sot që nesër të mundemi vet”, derisa shton se pjesëmarrës në këtë marsh do të jenë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri, Albin Kurti.

E sa i përket ndihmës nga qeveria, ajo tregon se përveç shumës simbolike mujore që fëmijët me autizëm marrin, e që nuk është e mjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet, nuk kanë ndonjë ndihmë tjetër.

“Me vështirësitë që ne ballafaqohemi si shoqatë dhe prindërit, janë vështirësia për trajtimin e autizmit barabartë me fëmijët e tjerë, duke u përfshirë në shkolla të rregullta, në kopshte, madje prindërit kanë vështirësi edhe t'i regjistrojnë sepse fëmijët, nuk pranohen për shkak të sjelljeve, duhet të sigurojnë një asistent për fëmijët, sepse u duhet një kujdes i veçantë, shteti nuk i siguron këto andaj prindërit duhet t'i kryejnë në mënyrë vetanake këto... Ne si organizatë në disa raste kemi pasur disa projekte që na kanë mbështetur për t'i siguruar shërbimet terapeutike për fëmijët që nuk kanë pasur mundësi që t'i paguajnë ato shërbime, por që ne vazhdimisht nuk kemi përkrahje nga shteti, por familjet e fëmijëve me autizëm, marrin një shumë simbolike mujore, e cila nuk është e mjaftueshme për t'i mbuluar të gjitha shpenzimet që një fëmijë me autizëm mund të ketë”, potencoi ajo.

Kosumi thotë se Shoqata Autizmi, ka potencial për mbikëqyrjen 70-të fëmijë me autizëm, gjersa shton se ka fëmijë të tjerë që presin të jenë pjesë e shoqatës, por që hapësira e vogël nuk ua mundëson pranimin e më shumë fëmijëve.

Edhe stafi i vogël i punonjësve të kualifikuar, mbetët një sfidë për këtë organizatë. Kosumi thekson se te personat adoleshent me sëmundjen e autizmit, mungon personeli i kualifikuar, gjersa thotë se ajo çfarë i duhet kësaj shoqate është përkrahja nga shteti.

Autizmi është ç’rregullim neurobiologjik kompleks e shumëplanësh i zhvillimit të njeriut, pjesë e çrregullimeve të spektrit autik. Sot në botë të paktën 1 në 88 vetë diagnostikohen me autizëm, duke e bërë këtë të fundit më të shpeshtë se kanceri, diabeti dhe SIDA të marra së bashku.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025