Shqipëria rikonfirmon mbështetjen për Kosovën, Hoxha: Prioritet i padiskutueshëm
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Shqipëria rikonfirmon mbështetjen për Kosovën, Hoxha: Prioritet i padiskutueshëm
654987801_1270352678571534_7067043515805434726_n
19/03/2026 - 21:34
Linku u kopjua

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi sot një bisedë telefonike me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha tha se “rikonfirmuam marrëdhënien tonë vëllazërore, lidhjen e veçantë e të patjetërsueshme mes dy vendeve tona, dhe ritheksova se Kosova mbetet një prioritet i përhershëm dhe i padiskutueshëm i politikës sonë të jashtme. Ndamë angazhim për thellimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik dhe forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”.

“Vlerësova zhvillimet e fundit, përfshirë heqjen e masave kufizuese nga Bashkimi Evropian si një hap të rëndësishëm që krijon një moment të ri dhe shumë premtues në marrëdhëniet Kosovë-BE, me bindjen se ky zhvillim do të pasohet nga hapa të tjerë pozitivë në rrugën evropiane të Kosovës, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat”, vijoi Hoxha.

“U dakorduam mbi nevojën për riaktivizimin e mekanizmave të përbashkët institucionalë dhe për avancimin e projekteve madhore me interes kombëtar, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si ekonomia, infrastruktura, arsimi, kultura, siguria dhe diplomacia”, theksoi Hoxha.

Ministri Hoxha cilëson në postim se e siguroi Konjufcën për mbështetjen e palëkundur në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, si për sa i përket zgjerimit të gjeografisë së njohjes, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, ashtu edhe për përparimin e proceseve të saj integruese evropiane dhe euroatlantike, shkruan ATSh.

“Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për Kosovën, sot dhe gjithmonë. Në këtë frymë, rikonfirmova gatishmërinë time dhe të Ministrisë për një bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në funksion të avancimit të objektivave të përbashkëta. Shqipëria dhe Kosova do të vijojnë të qëndrojnë krah për krah, me një vizion të përbashkët për të kontribuar në forcimin e mëtejshëm të së ardhmes evropiane dhe euroatlantike të rajonit”, shkroi në postim Hoxha.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026