Shqipëria kërkon nga Kosova themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pasi siç thuhet Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë garanci se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
Për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ambasadori i ri i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj thekson se Kosova duhet të ndërmarrë hapat për të punuar në projektstatutin e prezantuar në tetor nga emisarët euro-amerikanë.
Diplomati shqiptar në Prishtinë, Malaj në një intervistë për KosovaPress ka folur edhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes këtyre dy vendeve, si dhe për hekurudhën Durrës-Prishtini dhe impaktin e saj në aspektin ekonomik në të ardhmen.
Ambasadori Malaj ka theksuar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë në aspektin politik konsiderohen të jenë ndër më të mirat e mundshme që prej shpalljes së pavarësisë më 2008.
Sa i përket hekurudhës Prishtinë – Durrës, një muaj më parë është shpallur kompania fituese e cila do të realizojë studimin e fizibilitetit për linjën hekurudhore e cila pritet te këtë ndikim të rëndësishëm në ekonominë e dy vendeve, Kosovë-Shqipëri.
Këtë projekt për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, Malaj e ka quajtur madhor për zhvillim ekonomik.
Diplomati shqiptar ka folur në fund edhe për turizmin, i cili theksoi se shqiptarët e Kosovës përveç që shprehin një dashuri të madhe për Shqipërinë, kanë dëshirë që edhe financat e tyre nga shpenzimet për pushimet e verës të mbesin në bregdetin shqiptar. /I. Shabani