Shqipëri: Pushim nga puna për punonjësit e administratës që angazhohen në fushatë
Lexohet për: 7 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Nisja e fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, dhe shtrirja e saj në harkun kohor të një muaji kalendarik, ka bërë që qeveria në Shqipëri të shtrëngojë masat ndaj administratës shtetërore përgjatë gjithë këtij procesi. Masat shkojnë deri në pushim nga puna. Për monitorimin e këtij procesi qeveria ka ngritur edhe një Task-Forcë.

Vendimi i marrë sot ka të bëjë me marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore për vitin 2023.

Kjo, me qëllim nxitjen e paanshmërisë dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral, si dhe për mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake.

Punonjësi i administratës shtetërore, pas orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike apo zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.

“Punonjësi i administratës shtetërore ka të drejtë të angazhohet si komisioner zgjedhor, në përbërje të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, pasi të ketë njoftuar paraprakisht me shkrim eprorin direkt dhe njësinë e personelit për këtë veprimtari dhe të ketë marrë lejen me shkrim nga eprori direkt. Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë orarit zyrtar të punës dhe brenda mjediseve të institucioneve shtetërore, i ndalohet çdo lloj pjesëmarrjeje në veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.”- thuhet në vendim.

Nëpunësit civil i ndalohet të bëjë fushatë për një subjekt zgjedhor apo kandidat; të manifestojë me pankarta, parrulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht; të jetë protagonist në aktivitetet/veprimtaritë politike apo të kandidatëve.

Ndërsa punonjësit të Policisë së Shtetit i ndalohet të jetë anëtar i një partie ose organizate politike; të mbështetë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.

Kurse punonjësit të Gardës së Republikës i ndalohet të sillet dhe të mbajë qëndrime që cënojnë natyrën e depolitizuar të Gardës; anëtarësimi e pjesëmarrja në veprimtari të partive a të shoqatave politike apo të kandidatëve.

“Punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit i ndalohet të manifestojë sjellje dhe të mbajë qëndrime, që cenojnë natyrën e depolitizuar të institucionit; anëtarësimi dhe pjesëmarrja në veprimtaritë e partive apo të shoqatave politike apo të kandidatëve; të bëjë propagandë në favor ose kundër partive, shoqatave politike ose kundër kandidatëve në zgjedhje. Ndërsa ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura i ndalohet të jetë anëtar i partive politike, i organizatave ose shoqatave me karakter politik; të marrë pjesë në veprimtaritë politike që organizohen prej tyre apo nga kandidatët.”- thuhet në vendimin e qeverisë.

Ndër të tjera në vendimin e qeverisë nënvizohet se punonjësit të administratës shtetërore i ndalohet të përdorë të mirat publike, funksionin ose veprimtarinë shtetërore ose burimet financiare a njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje.

Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë ose personat e ngarkuar prej tyre marrin masa që kanë të bëjnë me garantimin e zbatimit të detyrimeve ligjore për ndalimin e vënies në përdorim për subjektet zgjedhore të veprimtarisë së tyre institucionale, mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme, pronë e administratës shtetërore, të çdo niveli, për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023.

Ata duhet të kontrollojnë në mënyrë periodike veprimtarinë e nëpunësve nën varësinë e tyre, me qëllim shmangien dhe parandalimin e nxitjes apo kërkesës për përfshirjen e punonjësve të administratës shtetërore në veprimtari politike apo në mbështetje të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.

Pezullimi nga detyra

Titullarët e ministrive ose drejtuesit e institucioneve të varësisë marrin masa për pezullimin nga detyra të nëpunësve civilë të institucioneve të tyre, të cilët janë regjistruar si kandidatë për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023.

Për nëpunësit e tjerë, marrëdhënia e punës të të cilëve rregullohet nga Kodi i Punës, merren masa, sipas rastit, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës apo pezullimin nga detyra në rastet kur rezultojnë që janë regjistruar si kandidatë për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023.

Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, automjetet si dhe karburanti, në përdorim të titullarit apo institucionit të administratës shtetërore, ndalohen të përdoren për veprimtari të fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore, të regjistruara në zgjedhje apo të kandidatëve.

Bën përjashtim nga ky ndalim përdorimi i automjeteve të Gardës së Republikës dhe të Policisë së Shtetit, në përmbushje të detyrave të tyre funksionale.

Strukturat e Policisë së Shtetit, kur konstatojnë përdorimin e automjeteve shtetërore të institucioneve të pushtetit qendror e vendor, për veprimtari të fushatës zgjedhore, menjëherë të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe titullarin e institucionit në përdorim të të cilit është automjeti. Në këtë rast, struktura e Policisë së Shtetit bën referim në organet kompetente për përdorimin e të mirave publike në favor të subjekteve zgjedhore.

Aksesi në informacion dhe Task-Forca

Ministritë dhe institucionet/organet e varësisë t’u krijojnë vëzhguesve dhe shoqatave të regjistruara në KQZ, si vëzhguese të procesit zgjedhor, akses të plotë për të marrë informacion në lidhje me detyrimet ligjore të administratës publike në procesin zgjedhor. Ministritë dhe institucionet/organet e varësisë informojnë publikun në mënyrë të vijueshme për monitorimin e realizuar në kuadër të këtij vendimi.

Për koordinimin e procesit të monitorimit, sipas këtij vendimi, krijohet Task-Forca që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje:

– ministrin e Brendshëm;

– ministrin e Mbrojtjes;

– ministrin e Financave dhe Ekonomisë;

– ministrin e Arsimit dhe Sportit;

– ministrin e Drejtësisë;

– ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;

– sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave;

– drejtorin e Departamentit të Administratës Publike;

– drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;

– drejtorin e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë;

Në mbledhjet e Task-Forcës ftohen të marrin pjesë:

– komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;

– një përfaqësues nga Avokati i Popullit;

– një përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme;

– një përfaqësues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në mbledhjet e Task-Forcës ftohen të marrin pjesë përfaqësues nga organizma ndërkombëtarë, në raste kur Task-Forca e gjykon të nevojshme marrjen e asistencës teknike lidhur me çështje të procesit zgjedhor.

Ngarkohen Policia e Shtetit dhe/ose Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave t’i raportojnë, me shkrim, Task-Forcës çdo rast kur konstatojnë përdorim në procesin zgjedhor të mjeteve financiare të krijuara nga veprimtari të paligjshme.

/rtsh.al/ a.meta/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024