Afro 3 muaj para fushatës së zgjedhjeve vendore të 14 majit, në Shqipëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtuar përgatitjet teknike të këtij procesi. Zëdhënësja e Komisionit, Drilona Hoxhaj, deklaroi për Zërin e Amerikës se këtë vit “po digjitalizohet raportimi financiar i partive politike dhe do të bëhet maksimumi për të verifikuar pastërtinë e kandidatëve, sipas ligjit të dekriminalizimit”.
Por, vëzhgues të pavarur pohojnë se procesi zgjedhor nuk do të jetë i lehtë, dhe se mbarëvajtja e procesit përsëri do të vonohet dhe do të varet kryesisht nga vullneti politik i partive garuese. Në KQZ janë shumëfishuar përgatitjet e zgjedhjeve vendore të 14 majit, teksa kanë mbetur afro 3 muaj nga nisja e fushatës zgjedhore.
Burimet dhe sasitë e financimit të partive para zgjedhjeve janë një shqetësim i vazhdueshëm mbi jetën politike të vendit, bashkë me dyshimet se ato vijnë prej të ardhurave nga grupet kriminale, të cilat i pararendin kapjes së favoreve dhe klientelizimit të mëvonshëm.
Zëdhënësja Hoxha theksoi se këtë vit “KQZ do të bëjë maksimumin me verifikimin brenda afateve të qindra kandidaturave për pushtetin vendor, ndërsa ky proces verifikimi kryhet në bashkëpunim me policinë, gjendjen civile dhe drejtorinë e burgjeve”.
Drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta, thotë se Kuvendi ende ka në punë dy komisione; një për reformën zgjedhore dhe tjetrin për ndarjen administrative territorial, ndërsa partitë nuk po japin të dhëna mbi kandidatët dhe kriteret e përzgjedhjes së tyre.
“Ende nuk e kemi një dakordësi mes partive se çfarë do të prodhojë dhe cili do të jetë produkti final i kësaj reforme. A do të kemi një Kod Zgjedhor të pandryshuar për këto zgjedhje, apo do të kemi në minutat e fundit disa amendime, apo disa arnime, të cilat vullneti i partive politike do t’i shtyjë deri në ditën e votimit më 14 maj?”, thotë zonja Meta.
Vora do të jetë përsëri e njëjta njësi ku do të eksperimentohet votimi dhe numërimi elektronik. Edhe këtë vit votimi dhe numërimi elektronik nuk do të shtrhet në bashkitë e mëdha, sepse Kuvendi e miratoi buxhetin pa faturën e KQZ-së për këtë proces.
Një seri aktesh nënligjore janë gati dhe KQZ ka nisur konsultimet me partit dhe shoqërinë civile, ndërsa po zgjidhen edhe monitoruesit e fushatës zgjedhore, pa përmëndur qindra vëzhgues të pavarur vendas dhe ndërkombëtarë, që pritet të vijnë.
Forcat politike i kanë bërë të zakonshme kundërshtimin e rezultateve zgjedhore, zvarritjen e përgatitjeve dhe listat e kandidatëve deri ditën e fundit si dhe mbushjen e komisioneve zgjedhore me militant partiakë, të cilët vënë në dyshim gjithçka.
Po aq të zakonshme janë bërë edhe akuzat e ndërsjellta për korruptim të komisionerëve, blerje të votave, kërcënime dhe shantazhim të votuesve, si dhe shfrytëzimin e burimeve dhe mjeteve shtetërore për fushatë