Qyteti i një mbi një dritareve vijon të mbetet ndër qytetet më të preferuara të turistëve.
Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha për ATSH-në se gjatë vitit 2022 Berati ka shënuar një fluks të lartë turistësh, ku në janar-dhjetor u vizitua nga rreth 400 mijë vizitorë.
“Ky është numri më i lartë i vizitorëve në të gjithë historinë e qytetit tonë. Vitet e fundit turistët po kalojnë më shumë kohë në qytet. Më herët turistët kryenin vizita ditore, ndërsa tani ata qëndrojnë të paktën 1-2 netë në qytet dhe kanë mundësi të njihen më mirë me historinë dhe kulturën e këtij qyteti të lashtë”, tha Demo.
Ndër atraksionet më të vizituara Demo përmend Kalanë, ndërsa në qytet më të vizituarat janë Kanionet e Osumit, kantinat e qytetit, muzeumet Onufri, Etnografik dhe Solomon.
Sipas tij, në rritjen e fluksit të vizitorëve këtë vit kanë ndikuar edhe aktivitetet e shumta të organizuara nga bashkia.
“Bashkia gjatë gjithë vitit, por sidomos në sezonin veror ka organizuar një sërë aktivitetesh çdo fundjavë si teatër kukullash, teatër për të rritur, fundjavat e muzikës live në pedonale, festa e miqësisë, ekspozita, etj., të cilat kanë sjellë një numër të lartë turistësh në qytetin e një mbi një dritareve”, tha Demo.
Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor veçanërisht vitet e fundit.
Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.