Shprehitë që pahetueshëm formësojnë mentalitetin
Lexohet për: 8 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

“Nderi i një vendi, varet shumë më tepër nga heqja e të metave të tij, se sa nga mburrja me cilësitë e tij.” (Gj.Macini, një nga udhëheqësit e rilindjes së Italisë)

1.

Disa shprehi janë jo vetëm të çuditshme, por, edhe  dëshpëruese, intriguese dhe ndjellakeqe. Ato shpesh manifestohen, qoftë edhe vetëm me një shprehje apo fjali, e cila sado e shkurtër qoftë, tregon një simptom, ashtu sikurse që edhe një shenjë e vogël në trupin e njeriut, që mund të tregojë për një çrregullim serioz. Ndodhë shpesh, që të dëgjojmë shprehje, p.sh. kur mëtohet që të përqeshet, nënqmohet apo të anatemohet tjetri. “Ai është filozof”, ose “Mos u bëj filozof!”, ose “Shumë po filozofon” etj, thuhet pa menduar gjatë. Nëse jo ndonjë trill çasti, kjo mund të jetë përpjekje e dëshpëruar e disave, për t’i eskivuar  një teme të caktuar debati, për të cilën kanë mungesë të dijes, që edhe mund të arsyetohet disi, si një lloj vetëmbrojtjeje, por mënyra se si thuhet është e pandershme dhe hipokrite. Sepse, të përqeshësh në mënyrë morbide dijen, do të thotë, jo vetëm ta mohosh atë, por edhe ta promovosh të kundertën e saj – paditurinë. E keqja e dukurive të tilla, është, se nëse ato shprehi nuk luftohen,  ato pahetueshëm formësojnë një mentalitet retrograd, një qerthull të së keqes.

Si erdhi kjo shprehi në mesin tonë, kush dhe si e solli atë? Ku u mbruajt ajo, dhe pse depërton lehtësisht si një vrundull? Një vetëmburrje e pavend, një kënaqësi e pashpjegueshme e përqeshjes së arsyes, një përbuzje tërë pezm e dijes të tjetrit, një mohim ndaj kulturës, një gëzim për dijen e vagëlluar. E sollën  nga  një kuzhinë, gatuar kush e di nga kush, e të servuar me dinakëri. Dhe të pranuar me mendjelehtësi. Synimi i shprehjeve të tilla duket sheshit – rrëgjimi i dijes, ose edhe më keq, i dëshirës për dije. E mungesa e dijes, apo edhe e dëshirës për të, dërgon gjithmonë në një robëri të mendjes. Të bësh tjetrin që të ndjehet keq, apo edhe të skuqet, nga diçka që në fakt do të duhej të ishte mburrje!

Përkthyer në shqip, filozof do të thotë një njeri që e don dijen! Pse do të duhej që diçka fisnike të transformohet në kuptim pezhorativ? Një njeri që don dijen, një ditë edhe do ta arrijë atë, dhe nga kjo, askush nuk do të ketë dëm, sepse ajo ndihmon për të kuptuar  të vërtetën, dhe për të dashur virtytin.

Filozofët dhe mendimtarët, gjatë tërë historisë së civilizimeve të njerëzimit i dëftuan njeriut shtegun drejt zhvillimit e progresit, ishin ata që së paku ndezën një qiri, për të luftuar errësirën. Këta viganë të mendimit, shpesh herë dolën edhe nga popuj të vegjël. Shtetet e vogla të Spartës, Athinës ishin shembuj të tillë. Edhe në kohën e sotme, filozofë e mendimtarë të mëdhenjë, vijnë edhe nga popuj  e kombe të vogla, por me traditë të gjatë të arsimimit e kulturës.

Dhe në këtë konotacion, a duhet shtruar pyetjen që me vete sjell edhe lakminë e dëshirën: Po kombi ynë, vallë, cilin filozof të përmasave të tilla e mbruajti dhe e krijoi, përmes të të cilit do të na njifte e respektonte bota?

2.

Ka disa gjëra,  dhe të vërteta të përbotshme që përsëriten disi mekanikisht, por kjo nuk do të thotë që ato kuptohen mirëfilli. Fundja, përsëritja e një të vërtete pa e kuptuar në thelb, e sidomos pa e zbatuar në praktikë, nuk është se siguron ndonjë dobi. Të dëgjosh, e madje edhe të kuptosh fjalët nuk është e mjaftueshme, sepse duhet që edhe t’i ndjesh ato, ashtu që kuptimi i tyre të të shtyjë drejt veprimit. Ne shpesh dëgjojmë fjalinë e saktë: “Nuk ka nevojë që të shpiket uji i nxehtë”. Nënteksti është i qartë, nuk ka nevojë të zbulohet diçka që tashmë është e zbuluar. Njerëzit e mençur e zbatojnë këtë parim, duke eksploruar, pranuar dhe zbatuar dijet e mëhershme. Sepse, kështu e lehtësojnë dhe pasurojnë jetën e e tyre.

Kur në njërën nga sfidat serioze të jetës së tij, në procesin e shtet ndërtimit të SHBA-ve, atë të çështjes së skllavërisë, e kur mori vendimin largpamës për largimin e saj,  ish presidenti Linkoln, jo vetëm që i dinte, por edhe i  zbatonte qëndrimet e mendimtarëve antikë rreth parimeve fundamentale njerëzore, e edhe të lirisë e skllavërisë. Ai e dinte rastin kur Diogjenit, filozofit të njohur, i iku skllavi i tij. Dhe kur e gjetën, e ia sollën, ai kishte thënë: “Nëse, skllavi im mund të jetoj pa mua, atëherë është turp për mua, që edhe unë, të mos mund të jetoj pa të”! Dhe e kishte liruar skllavin!

Shembuj të tillë të Etërve Themelues, Linkolnit, të presidentëve tjerë të SHBA-ve, por edhe të vendeve tjera të zhvilluara dhe të përparuara ka mjaft. E kjo tregon, se ata ishin të edukuar e  arsimuar në nivelin që i dinin, kuptonin dhe zbatonin parimet fundamentale të njerëzimit të krijuara shekuj më parë. Në situatat e vështira, kur ata u ballafaquan me probleme thuajse të pazgjidhshme, ata u inspiruan dhe u mbështetën në dijet e vjetra, të krijuara nga filozofë të mençur, dhe nuk gabuan. Njëra nga kualitetet e dijes së lartë, është se ajo është univerzale, dhe që i bënë ballë kohës. Dobia e saj për njeriun është e pakufishme, sepse ajo mëson se si të lartësohet ai, si të largojë veset e të forcojë virtytet, si të dëbojë smirën, ligësinë, gënjeshtrën, fodullëkun e vetëgënjimin, e se si të kultivojë dashurinë, përulësinë, mëshirën, të vërtetën, barazinë, lirinë dhe të mirat tjera, të cilat e largojnë nga errësira e injoranca dhe e dergojnë drejt dritës dhe dijes.

3.

Janë këta e shembuj të tjerë, në gjithë historinë e krijimit, organizimit dhe mbajtjes së shteteve që katërçipërisht dëshmojnë, se shtet ndërtimi nuk është se nënkupton vetëm një aparat e mekanizëm, një territor, dhe as vetëm forca ushtarake për ta mbajtur e ruajtur atë. Kërkon edhe atë që është vlerë e lartë shpirtërore e hyjnore – zhvillimin e personalitetit të njeriut, me synim krijimin e lumturisë së tij dhe jetës së dinjitetshme. E këtë përmes një sistemi vlerash, që për bazë kanë moralin dhe dijen.

Pikerisht për këtë, mësimi i filozofisë, moralit dhe etikës në sistemet arsimore të shteteve e kombeve të zhvilluara paraqet bazën e arsimimit dhe të shtet ndërtimit. Nga këtu shohim se prosperiteti dhe zhvillimi i gjithmbarshëm i tyre, shkon krahas edhe me një atribut esencial dhe të domosdoshëm të zhvillimit – ndërgjegjja kombëtare. Se funksionimi i këtij binomi është faktori kryesor, dhe i domosdoshëm në zhvillimin e shoqërisë nuk është e vështirë për tu kuptuar. Mjafton që të shikohen vendet dhe kombet e zhvilluara sot. Nuk ka asnjë vend të zhvilluar e të prosperuar, që të mos ketë një sistem arsimimi dhe edukimi të zhvilluar, në të cilin njeriu merr dijen dhe edukatën e nevojshme për punë e zhvillim, por edhe bazat e ndërgjegjes  kombëtare. Në këtë mënyrë, është dëshmuar si mund të zhvillohet personaliteti i njeriut, të dobishëm për vete dhe shoqërinë, që rezulton me krijimin e mentalitetit të qëndrueshëm shtet formues.

4.

Sepse, siç thotë Gj.Macini, një nga udhëheqësit kryesorë të rilindjes së Italisë: “Shteti nuk është vetëm një territor i thjeshtë, territori i caktuar është vetëm themeli i tij. Shteti, është ideja që ngrihet mbi atë themel, është ndjenja e dashurisë, ndjenja e miqësisë, që lidh së bashku, të gjithë njerëzite e atij territori”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024