Policia e Kosovës ka rritur masat e sigurisë pas shpërthimit në kanalin e ujit “Ibër-Lepenci” në Varragë të Zubin Potokut, duke thënë se do të vazhdojë të punojë drejt zbardhjes dhe ndriçimit të rastit, për të cilin nga hetimet fillestare ekziston dyshimi i bazuar se ka qenë i qëllimshëm dhe i kryer me eksploziv nga individ apo grup kriminal, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Në një postim në Facebook, thuhet se incidenti ka ndodhur rreth orës 19:00, pas së cilës Policia e Kosovës ka siguruar informacione se në Varragë të Zubin Potokut, është sulmuar dhe dëmtuar infrastruktura kritike e kanalit të ujit "Ibër Lepenci".
Nga Policia e Kosovës dhe institucionet kompetente, janë ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë, të ndalimit të rrjedhjes së ujit si dhe mundësisë së sanimit të kanalit të ujit.
Njëkohësisht nga Policia e Kosovës, njësia për trajtimin e materieve eksplozive janë duke u kryer hetime intensive dhe ekzaminime në vendin e ngjarjes, nga të cilat është konstatuar se shpërthimi/detonimi ka qenë sulm i qëllimshëm, akt kriminal terrorist i kryer nga person/a të dyshuar.Policia e Kosovës thotë se do të përdorë të gjitha aftësitë dhe asistencën nga komuniteti ndërkombëtar për të hetuar provat dhe për të gjetur personat përgjegjës për dëmtimin e furnizimit me ujë të vendit, të furnizimit të termocentraleve e të Zubin Potokut, e që mund të dëmtojë qytetarët.
“Së bashku, do të përpiqemi për të gjetur individët përgjegjës për këtë rast e edhe për sulmet tjera ndaj stacionit të policisë në Zveçan dhe ndërtesës së komunës. Nëse qytetarët kanë ndonjë informacion apo dinë diçka, iu lutemi të lajmërojnë në stacionin më të afërt të Policisë ose në mënyrë anonime duke përdorur numrat kontaktues: 192, 080019999, 038 550 999 dhe në [email protected]”.