Qyteti më i madh i Kinës, Shangai, ka urdhëruar mbylljen e shumicës së shkollave për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.
Tashmë, u vendos që mësimi do të zhvillohet online. Nga e hëna e javës së ardhshme, edhe qendrat për kujdesin e fëmijëve do të mbyllen.
Por, heqja e kufizimeve të ashpra ka ndikuar në rritje të numrit të personave të infektuar me këtë virus. Ndryshimet në sistemin e testimit dhe raportimit të rasteve, e kanë bërë të vështirë që të kuptohet sa është përhapur virusi.
Besohet se numri është i lartë, pasi spitalet janë të mbushura plot dhe autoritetet janë duke ndërtuar qendra të përkohshme kujdesi. Ekzistojnë shqetësime se infrastruktura shëndetësore e Kinës nuk është e përgatitur për të përballur një fluks të madh të pacientëve brenda një kohe të shkurtër.
Më shumë se 6.5 milion njerëz kanë humbur jetën që nga koha e shpërthimit të pandemisë në të gjithë botën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të ndjekura nga India dhe Brazili.