Federata e Futbollit të Kosovës ka shpallur futbollistin më të mirë të xhiros së gjashtë në Superligën e Kosovës. Ky çmim për javën e gjashtë në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të Llapit, Ahmed Januzi.
Januzit për 78 minuta të kaluara në fushë ishte lojtari kyç i Llapit. Ai shënoi golin e vetëm në ndeshje, duke ia mundësuar ekipit të tij të arkëtojë pikë të plota në ndeshjen në transfertë kundër FC Ferizaj (0:1).
Pasi mori këtë çmim, Januzi u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës: “Përballja me Ferizajn ishte një ndeshje shumë e vështirë për shumë arsye. Ferizaj është një kundërshtar që u bën probleme ekipeve, por është e rëndësishme që ne synimin tonë e arritëm duke marrë pikët e plota. Kjo besoj që na jep vazhdimësi për ndeshjet e ardhshme që do të zhvillojmë në Podujevë. Është gjithmonë kënaqësi të shpallesh më i miri i xhiros, por kjo nuk është meritë vetëm e imja, është e klubit dhe e bashkëlojtarëve, me të cilët është e rëndësishme që funksionojmë si grup. Atmosfera në ekipin tonë është shumë e mirë, synimi ynë është titulli kampion dhe do të bëjmë më të mirën ndeshje pas ndeshjeje”, tha Januzi për faqen zyrtare të FFK-së.