Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve ndan çmimet “Hasan Prishtina” për 24 komuna
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Në shënim të 24-vjetorit të eksodit të shqiptarëve të Kosovës, sot në Bllacë është mbajtur manifestimi përkujtimor “Eksodi Bllaca 99”, me ç’rast, Shoqata për Kthimin e Shqiptareve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, ka ndarë çmimet “Hasan Prishtina” për 24 komuna, bashkësi lokale, shoqata humanitare, organizata joqeveritare e mediume nga RMV, që ndihmuan refugjatët kosovarë gjatë kohës së luftës të vitit 1998-99.

Kryetari i Shoqatës për kthimin e shqiptarëve, Jahja Lluka ka falënderuar gjithë qytetarët e Tetovës për kontributin e tyre për shqiptarët e Kosovës.

Lluka ka theksuar se më e mira e “Bllacës 99” është fitorja e refugjatëve shqiptarë.

“440 mijë njerëz, kanë kaluar në Bllacë dhe nuk e di a i’u ka bërë më keq balta, sepse aty ka qenë një moqal dhe mos e shikoni si është sot se falë komunës, Agjencionit të Qeverisë së Kosovës, që kanë marrë vendim që të bëhet memoriali, ka ndryshime të mëdha...Po shfrytëzoj rastin ta falënderoj kryetarin e Tetovës, se kur Grigorovi i ka mbush autobusët për t’i larguar nga Maqedonia, qytetarët e Tetovës e kanë bllokuar autostradën dhe i kanë kthyer autobusët mbrapa për të qenë refugjatët shqiptarë sa më afër Kosovës... Dhe më e mira e Bllacës 99, është pas fitores së UÇK-së, është fitorja e refugjatëve shqiptarë, të cilët të gjitha programet antishqiptare i hodhën në Lepenc dhe i’a dërguan pak më larg. Nuk ka mundësi asnjë serb, akademi e shkencave, as Kisha Ortodokse, të bëjë projekte për devijimin e shqiptarëve”, tha Lluka.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës e ka për obligim të ndihmojë memorialin në Hanin e Elezit, sepse siç thotë ai ka buxhet për të bërë diçka të mirë të përbashkët.

Kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi muajin prill e quajti si të kobshëm për gjithë shqiptarët e Kosovës, pasi tha se mijëra shqiptarë nga e gjithë Kosova ishin drejtuar drejtë kufirit me Maqedoninë të dëbuar me dhunë nga forcat serbe.

Mes tjerash, ai theksoi se Bllaca e vitit 99-të është simbol i tragjedisë shqiptare

Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, ka arritur kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).

Para dy vitesh, për të kujtuar ditët e shpërnguljes më dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit është inauguruar monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.

Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur. Eksodi i shqiptarëve shënohet edhe në Kukës, çdo 16 prill./E. Krasniqi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024