Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale bashkë me Shoqatën e Logopedëve, Ergoterapisë dhe specialistë në Psikologjinë Klinike dhe Psikoterapi, kanë diskutuar për kërkesat, sfidat dhe arritjet e tyre.
Nga shoqata e logopedëve, Lekë Gjurgjiali tha se sfida kryesore në Kosovë është mungesa e profesionit të logopedisë në Qendra Mjekësore Familjare, i cili nuk është i integruar. Ai tha se duhet të shtohet inspeksioni për logoped sepse në shumë raste ka të punësuar pa licencë. Gjuragjiali theksoi se një odë e logopedëve e ndarë veçmas për licencim, do të ishte hap i duhur për këtë profesion.
Po ashtu, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli tha se duhet të propozohet oda e veçantë për licencimin e logopedëve. Avdyli tha se Kosova i ka vetëm katër logopedë të punësuar dhe kjo nuk është në rregull, sepse profesionistët po shkojnë në Gjermani.
Ndërkaq, mbledhje e komisionit ka vazhduar edhe me diskutimin e kërkesave dhe problemet me të cilat ballafaqohen shoqata e Ergoterapisë dhe specialistët e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë.