Është përuruar sot (e hënë) salla e edukatës fizike, në shkollën “Abdurrahim Gërguri”, në Dardhishtë të Obiliqit. Ndërtimi i saj nisi në vitin e kaluar dhe u realizua me ndihmën e Ministrisë së Arsimit.
Dyert e kësaj salle u hapën nga kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi dhe drejtori i shkollës, Ismail Shalaku.
“Nuk është e vetmja kjo, është e pesta me radhë që po ndërtohet në komunën tonë dhe jemi të përkushtuar që ndër objektivat tona ta kemi edhe arsimin si fokus të veçantë. Që nga viti i ardhshëm janë planifikuar edhe digjitalizimi i shkollave, dhe shpresoj që ky projekt do të përmbyllet në të mirën e mësimdhënësve dhe nxënësve”, tha Gashi.
Drejtori i shkollës “Abdurrahim Gërguri”, Ismail Shalaku tha se para një viti i është dhënë gurthemeli kësaj salle, e nga sot do të shfrytëzohet për nxënësit e kësaj shkolle.
Drejtori i kësaj shkolle, Ismail Shalaku shpërndau mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar për ndërtimin e sallës të edukatës fizike.