Katër anëtarë të dyshuar të një grupi kriminal të trafikimit të parave nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë janë arrestuar nga autoritetet britanike. Të dyshuarit u arrestuan më 13 prill në një seri bastisjesh të koordinuara që filluan me arrestimin e një shtetasi shqiptar 48-vjeçar në Dover. Rreth 200 mijë funte u sekuestruan në automjetin e tij, i cili ishte rrugës për në Shqipëri. Dy persona të tjerë, të moshës 34 dhe 22-vjeç, dhe një djalë 17-vjeçar u arrestuan në Tottenham Hale, Londër, me rreth 150 mijë funte në automjetin e tyre.
Arrestimet vijnë pas një hetimi dyvjeçar, pasi Forcat Kufitare ndaluan 48-vjeçarin në kontrollet e tunelit Channel në Folkestone, Kent. Brenda furgonit të tij Mercedes Sprinter, i cili ishte nisur për në Tiranë, oficerët gjetën gjithsej 390 mijë funte të mbështjella në pako të ndryshme. Shtëpia e të dyshuarit në Haringey, Londër, u kontrollua dhe oficerët zbuluan 150 mijë funte të tjera në para. 34-vjeçari ishte arrestuar më parë në shtator 2022, kur oficerët zbuluan mbi 20 mijë funte në makinën e tij. Në gusht 2023, u sekuestruan edhe 43.980 funte të tjera, të cilat besohej se ishin të destinuara për t’u transportuar nga grupi.