Shiu i vazhdueshëm i pranverës së këtij viti ka shkaktuar dëme në disa kultura bujqësore e në veçanti te kultura e patates. Në mesin e bujqve që kanë pësuar është edhe Osman Ibrahimi nga fshati Kçiq i Mitrovicës, i cili tregoi se e gjithë sipërfaqja e të mbjellave është dëmtuar.
Fermeri Ibrahimi tha për KosovaPress, se kultivoi mbi 3 hektarë por reshjet e fundit të këtij viti i kanë dëmtuar gati të gjithën. Sipas tij, edhe gjatë kultivimit ka pasur shumë vështirësi.
Ibrahimi theksoi se uji i tepërt në tokat e mbjella me patate i ka shkatërruar dhe sipas llogaritjeve të çmimit të patates, rreth 40 mijë euro ka pësuar humbje për këtë vit.
“Në analizat e viteve të tjera e di që në konotacion thellësia e arave është 200 metra me qëllim me ditë se sa i qetë tre hektarë, unë e kam bërë një matje, një rend i qet 500 kilogramë, tani më po shihet asnjë nuk e ka, e ka shkatërruar uji, se patatja është e ndjeshme, mund të them minimumi, nuk dua të tejkaloj më shumë. Tek ne minimumi 30 ton patate 3 hektarë e 35 ari, e kam llogaritur nga 100 ton kush ka dëshirë me llogaritë humbjen tonë, le të llogaritë në treg sa shkon 100 ton x 40 cent bëjnë 40 mijë euro, për shembull nëse 50 cent, 50 mijë euro sa të shkon në treg aq humbje kemi. Do të thotë këtu është një matje e thjesht”, shtoi Ibrahimi.