Shitja e parave false po bëhet në rrjetet sociale, KosovaPress sjell bisedën me shitësit
Lexohet për: 4 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Zgjidhja e problemit me monedha false ende nuk është gjetur. Vetëm për periudhën 1 janar-19 shkurt, të këtij viti janë raportuar 172 raste, ku 108 raste janë të kartëmonedhave në vlerë 50 euro dhe 90 monedha të falsifikuara në vlerë 2 euro.

Megjithatë, nuk po mungon edhe sponsorizimi i faqeve për shitjen e parave false. Në rrjetet sociale si TikTok, Instagram dhe Snapchat, ka me mijëra faqe të cilët promovojnë paratë e tyre false.

Ekipi i KosovaPress, ka kontaktuar njërën nga faqet në rrjetin social Snapchat, i cili është përgjigjur se 200 euro false, mund të blihen me 20 euro dhe se pagesa bëhet përmes Wester Unionit.

Ndërsa, në Instagram faqja moneycredit.card, sponsorizon tërë kohën paratë false. Ekipi ka zbuluar se kjo faqe përdorë DarkWeb, në të cilin momentin që klienti dëshiron të bisedojë me ata, të gjitha informatat e tij, ruhen tek pronarët e faqes. Gjithashtu, në faqen e tyre, ata kanë treguar se monedhat false mund të merren edhe përmes bankomateve, nga një kartelë e tyre. Në një video që ata kanë postuar, vërehet se një klient merr paratë false nga bankomati i Reiffeisen në Prizren.

KosovaPress është munduar të kontaktojnë bankën Reiffeisen, për të marrë përgjigjur lidhur me videon e publikuar nga një klient, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Nëpërmjet një bisede paraprake në rrjetet sociale, duket që edhe policia para dy dite zhvilloi një aksion, ku arriti të konfiskojë 10 mijë euro të falsifikuara, si dhe të arrestojë 37-vjeçarin nga fshati Shakovicë i Podujevës.

Sipas Policisë, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ata kanë zbatuar urdhëresën për ‘masa të fshehta hetimore’, përkatësisht ‘Blerja e simuluar e artikujve, shërbimeve ose sendeve’, të lëshuar nga Prokuroria Themelore Prishtinë.

“Gjatë realizimit të masave të fshehta të hetimit nga hetuesit policorë, ka ofruar për shitje 5000 copë monedha nga 2 euro (5000x2=10000). I dyshuari këtu monedha synonte t’i shiste për 6 mijë euro. Policia, gjatë kontrollit në veturën e tij, kanë gjetur dhe sekuestruar  5000 x 2 euro monedha, dyshohet të jenë të falsifikuara, 3 kartëmonedha nga 20 euro, dyshohet të jenë të falsifikuara, Vetura e përdorur nga i dyshuari dhe një telefon celular. I dyshuari  është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Me aktvendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari  dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Eksperti nga Agjencioni i Kosovës për Forenzikë, Feriz Selimi ka thënë për KosovaPress, se divizioni i tyre ka mostra krahasuese, njohuri paraprake nga trajnimet për të bërë identifikimin e një monedhe apo kartëmonedhe. Ai tregon edhe procedurën që bëjnë për të identifikuar paratë e falsifikuara.

“Fillimisht e bëjmë një ekspertim vizual, apo me sy të lirë, pastaj fillojmë me ekzaminim optikë apo mikroskop dhe aparaturën VSC 6000... Monedhat janë të përbërë nga tiparet e sigurisë, pra çdo monedhë është e përbërë nga dy anët, njëra është ana kombëtare që e identifikon shtetin që e ka prodhuar dhe ana e përbashkët e shteteve të Bashkimit Evropian. Gjithashtu monedha është e përbërë nga rrethi, janë të përbëra nga tri elemente kimike dhe posedojnë veti magnetike... Asnjëherë te monedha origjinale, tek pjesa e jashtme, nuk ka veti magnetike, çdo herë posedon brenda... E kemi procedurën e njëjtë edhe për kartëmonedhat. Kemi mostra standarde që i krahasojmë. Çdo kartëmonedhë ka numrin e vet serik, identifikues. Kemi rrezet ultra violetë, e cila është tipar i reaksionit të ngjyrës. Pastaj numri apo ngjyra esmerald, në lëvizje ndryshon edhe ngjyrën,” shton ai.

Përndryshe, edhe në raportet e policisë, pothuajse çdo ditë nga bankat që veprojnë në vend, raportohet se janë deponuar para të falsifikuara.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024