Shiti shtëpinë për t'u kujdesur për fëmijët me aftësi të kufizuara
Lexohet për: 4 min.
krasniqi-121123
1 vit më parë
Linku u kopjua

Resmije Krasniqi, kryetare e Shoqatës Humanitare “Hadër” në Prizren, ka mbi 20 vite që kujdeset për personat me aftësi të kufizuara. Aktualisht, Resmija tregon se ka nën përkujdesje 24 orëshe pesë persona. Për KosovaPress, ajo thekson sfidat dhe vështirësitë që ka hasur gjatë rrugëtimit të saj, si një nënë e një vajze 46 vjeçare me aftësi të veçanta. Nevoja për të hapur një shoqatë të tillë humanitare, e për tu bërë strehë e shumë personave të kësaj kategorie, detyroi Resmijen që ta shiste shtëpinë e trashëguar të vajzës së saj. Derisa flet për peripecitë që ka kaluar, “nëna” e dhjetëra fëmijëve, kërkon nga institucionet që të ndërmarrin hapa në përkrahjen e kësaj qendre.

Pavarësisht që këta persona nuk mund të flasin apo të shprehen, shumë punime artizanale prej druri, veshje kombëtare, korniza të ndryshme e shumë gjëra të tjera interesante punohen nga vetë duart e tyre. Krijime të tilla, për t’i ndihmuar kësaj shoqate në funksionim, bëjnë edhe nënat e këtyre fëmijëve.

Kjo është mënyra e mbijetesës së tyre, duke përfshirë edhe projektet në të cilat marrin pjesë.

Resmija për KosovaPress tregon se e ka shitur shtëpinë e vajzës së saj me nevoja të veçanta, që ia ka lënë pasuri gjyshi i saj, për të themeluar shoqatën “Hadër”. Ajo tutje i bënë thirrje qeverisë dhe të gjitha institucioneve që brenda mundësive, ta ndihmojnë këtë shoqatë, në mënyrë që t’ia dalin mbanë për t’iu përgjigjur kërkesave për qëndrim në këtë shoqatë.

"Vjehrri jem kur na ka lënë pasurinë neve, e kam shitur shtëpinë e vajzës sime, me të meta që e kam...U detyruam ta shesim shtëpinë ta mbajmë shoqatën. 99;-2003 vetëfinancim, 2003-2008 këto të huajt na kanë ndihmuar...Tash unë i kam pesë (persona) 24 orë, 205 anëtarë janë në shoqatë. 24 orë përpara i kam pas 17 (persona), pyete shpirtin tim qysh kam punuar. Tash i kam vetëm pesë, tash e kam edhe një që dy javë ka ardhur... Që të më dëgjon qeveria, i kisha lut kryeministrin dhe të gjithë ministrat që janë, që ekzistojnë në Kosovë, t'i ndihmojnë shoqatës tonë. Normal, se ne jemi OJQ, ndoshta nuk na takon, por me projekte shumë vështirë është duke u mbajtur”, thekson Krasniqi.

Ndër të tjera, Krasniqi potencon vetëm një ndër qindra raste, se si kujdeset për personat me aftësi të kufizuara. Ajo tregon situatën kur vëllai i një personi të kësaj kategorie, i ka kërkuar kryetares së shoqatës “Hadër”, që ta marrë nën përkujdesje motrën e vetë, ngase fqinjët janë ankuar për veprime të pa kontrolluara në objektin banesor.

Shoqata humanitare “Hadër” është themeluar menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë, me iniciativën e disa nënave të fëmijëve me aftësi të veçanta. Kjo organizatë angazhohet për mirëqenien e këtyre personave.

Ndër të tjera, qëllimi i formimit të kësaj shoqate ishte sensibilizimi i opinionit vendor e ndërkombëtarë mbi gjendjen e vështirë të personave me aftësi të kufizuara, mbrojtja, përkrahja dhe trajtimi psikofizik i tyre si dhe organizmi i kurseve te ndryshme me nënat dhe personat e kësaj kategorie.

Këtë e tregon edhe vetë Resmija në librin e saj “Kujtimi i nënës”, në të cilin ka shumë tregime e poezi , që përshkruajnë jetën e vështirë të këtyre personave.

Shoqata “Hadër” trajton në grupe 9-12 persona, rreth 40 persona në ditë dhe punon çdo ditë nga ora 08:00 deri në 17:00./Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024