“Shfaqje e shëmtuar”, Minxhozi: Sulmet në veri të marrin fund
Intervista
Lexohet për: 3 min.
mixhozi-251224
2 javë më parë
Linku u kopjua

Sulmi terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës është një “shfaqje e shëmtuar që ka lënë shije të hidhur kudo në botë”, thotë ish-ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi.

Sipas tij, histori të tilla duhet të marrin fund dhe përgjegjësit duhet të vendosen para drejtësisë.

Një shpërthim më 29 nëntor dëmtoi kanalin e ujit të Ibër Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, në veri Kosovës.

Autoritetet e vendit e konsideruan sulm terrorist të orkestruar nga bandat kriminale që mbështeten prej Beogradit zyrtar.

“Janë një faqe e errët, janë histori që duhet të marrin fund një herë e përgjithmonë, sepse kemi të bëjmë jo thjesht me cenim të marrëdhënieve që komuniteti ndërkombëtar mundohet të krijojë midis Kosovës dhe Serbisë, por kanë të bëjnë me gjëra më vitale të njeriut, siç janë uji, drita e me radhë. Është një shfaqje shumë e shëmtuar e cila ka lënë shije shumë të hidhur jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, po kudo në botë”, thotë Minxhozi.

Ndër të tjera ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë flet edhe për marrëdhëniet zyrtare Prishtinë-Tiranë për të cilat vlerëson se kanë vend për përmirësim.

Kosova dhe Shqipëria kanë mbajtur javën e kaluar mbledhjen e përbashkët parlamentare ku është theksuar rëndësia e bashkëpunimit në rrugën evropiane.

Por, dy vendet kanë stagnuar sa i përket mbledhjeve ndërqeveritare.

Mbledhja e fundit e dy qeverive ishte paraparë të mbahet në qershor të vitit 2023 por ishte anuluar pas mospajtimeve në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama.

Minxhozi thotë se Shqipëria duhet ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj euro-atlantike.

Ai thotë se Kosova duhet të jetë sa më parë anëtare e NATO-s.

“Po nuk mbështetëm Kosovën, ne nuk kemi mbështetur veten tonë. Kosova dhe Shqipëria janë një dhe Kosova në NATO sa më parë do jetë një kënaqësi shumë e madhe, jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë hapësirën shqiptare kudo në botë”, thotë Minxhozi.

Kosova synon fillimisht të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe - program i NATO-s që ka për qëllim të krijojë besim në mes shteteve të kësaj aleance dhe të tjerave në Evropë.

Anëtarësimi në PfP konsiderohet parakusht për t’u bërë pjesë e aleancës veri-atlantike.

Prezenca e NATO-s në Kosovë aktualisht është përmes misionit të saj, KFOR.

Intervista e plotë në sistemin me parapagim...

https://kosovapress.com/sulmi-terroriste-ne-veri-gjithcka-qe-ndodhi-dhe-reagimet

https://kosovapress.com/sulmi-terrorist-qe-ndikoi-ne-furnizimin-me-uje-dhe-rreziqet-per-energji-elektrike

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025