Epopeja e Dukagjinit i dha një dimension të ri luftës sonë, e cila e dridhi makinerinë serbe. Kështu u tha manifestimin qendror me rastin e 24-vjetorit të shënimit të “Epopesë së Dukagjinit”.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj me këtë rast ka përkujtuar veprën sublime të luftës së UÇK-së për lirinë që ne gëzojmë sot.
Ndërsa, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani u shpreh e nderuar që merr pjesë në shënimin e Epopesë së Dukagjinit, duke thënë se sakrifica e atyre që ranë për liri nuk do të harrohet kurrë.
“Ky fshat ku jemi këtu është një nga vendet e shenjta të shqiptarëve Gllogjani i kullave të Dukagjinit i ka qëndruar stoikisht jo vetëm armëve, por idesë për liri, drejtësi dhe barazi. Unë jam një qytetare e Preshevës që qëndron sot para jush dhe jam e nderuar të jem këtu në mesin tuaj si bija e këtij vendi dhe e këtij kombi. Gllogjani nuk është vend i panjohur për bashkëqytetarët e mi që kemi kaluar një luftë të përbashkët për të njëjtin qëllim, por ky vend nuk na ka harruar në kohë krizash dhe prapë i është bashkangjitur dhe dëgjuar klithmat tona për ndihmë dhe thirrjeve tona për liri. Ndihem e nderuar por jo si një e huaj, si një mysafire, pasi unë jam këtu në shtëpinë time, në trungun tim dhe vendin tim… Neve në fakt na ndajnë kufijtë, por votra jonë është vetëm një, një atdhe, një gjuhë dhe një ndjenjë për liri prej brezash të shtypur në çdo të drejtë të tij… Sakrifica e këtyre njerëzve dhe familjeve të tyre është e madhe dhe dhimbje për ta”, tha ajo.
“Historia jonë e re është e mbushur plot me ngjarje e lavdishme, data të lavdishme. Epopeja e Dukagjinit i dha një dimension të ri luftës sonë, e cila në thelb e dridhi makinerinë serbe, sepse mendonin se me shuarjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe shuarjen e familjes Jashari do të shuhen edhe përpjekjet e armatosura të popullit tonë për liri, por nuk doli ashtu. Dukagjini u bë vatër e rezistencës së paparë deri atëherë, fshatrat e Dukagjinit, Jabllanica, Smolica u bënë vatra të rezistencës, por edhe qendra të furnizimit të trajnimit të ushtarëve të UÇK-së nga e gjithë Kosova”, tha ai.
Protagonisti i betejës së 24 marsit, Daut Haradinaj tha se janë ngjarjet e marsit ato që sollën lirinë e popullit tonë.
Një fjalë rastin para të pranishmëve ka mbajtur edhe baca Rifat Jashari nga familja e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Sot jemi tubuar këtu falë Zotit, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i kujtojmë bijtë dhe bijat më të mira të kombit tonë shqiptarë…Lavdi dhe respekt gjithë atyre bijë dhe bijave që dhanë gjakun e njomë, ia kthyen pushkën serbit”, tha Jashari.