Biznesmeni Ardian Nikulaj, i cili ushtronte veprimtarinë e tij në fushën e hoteleri-turizmit, u vra të mërkurën në qytetin e Shëngjinit.
Nikulaj, i përfshirë dhe në politikë, si pjesë e Partisë SocialDemokrate dhe aktualisht anëtar i Këshillit Bashkiak, ndodhej në mjediset e brendshme të resorit në pronësi të tij “Coral Shëngjin”, në Shëngjin kur u qëllua.
Policia njoftoi se vrasja e 50-vjeçarit Nikulaj është kryer në orën 13 e 30 minuta, për motive ende të paqarta.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 Ardian Nikulaj ka qenë kandidat për deputet i Partisë Social Demokrate.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, përmes një postimi në facebook u shpreh se “një ngjarje e tillë është cenim i rëndë i rendit dhe sigurisë publikë në qytetin tonë”, ndërkohë që kërkoi zbardhjen e shpejtë të ngjarjes nga organet e rendit.
Ardian Nikulaj, ka mbajtur poste të rëndësishme në administratën shtetërore, përfshirë postin e drejtorit të ALUIZNI-t për Lezhën.