?Përfaqësuesja speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe shefja e UNMIK-ut, Karolinë Ziadeh, në fjalën e saj në seancën ku po diskutohet për raportin gjashtëmujor për Kosovën në Këshillin e Sigurimit deklaroi se ky muaj karakterizohet nga afate vendimtare në lidhje me dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duke përmendur rastin e udhërrëfyesit për energjinë dhe targat për qytetarët serbë.
Ziadeh deklaroi se çështjet që duken të fjetura mes Kosovës dhe Serbisë mund të kthehen lehtësisht në ballë të agjendës së dialogut. Duke përmendur retorikën e udhëheqësve politikë, Ziadeh u shpreh se kjo gjuhë po rrezikon edhe ato të arritura që janë bërë deri më tani në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.
Shefja e UNMIK-ut u shpreh se mirëpret përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit, ndërsa shtoi se kjo mund të arrihet duke zbatuar të gjitha vendimet e gjykatave të larta, si ato të Gjykatës Kushtetuese.
Ajo tha se pret që këto përpjekje në sundim të ligjit të vihen re nga shtetet anëtare evropiane, të cilat janë duke hezituar në qëndrimin e tyre për liberalizmin e vizave për Kosovën.
Ziadeh u shpreh se ditët në vijim janë shumë të rëndësishme për vendimet që do të merren nga liderët politikë duke thënë se duhet te kenë parasysh kompromiset në vend të vendimeve që nuk çojnë askund.
“Ka shumë zgjedhje që duhen bërë nga liderët politikë në ditët në vijim, për mënyrën se si të menaxhojnë ambiciet dhe objektivat e tyre duke pasur parasysh pasigurinë e madhe ekonomike dhe të sigurisë në këtë kohë. Zgjedhje midis bashkëpunimit ose ndarjes, midis kërcënimeve ose gjesteve të vullnetit të mirë, midis kompromiseve ose llogaritjeve me rezultat zero. Për këtë përgjegjësia fillon nga shtëpia. Mes të gjitha sfidave, ne kemi qenë dëshmitarë të shembujve pozitivë të lidershipit dhe bashkëpunimit”, tha ajo.
“Nismat e bashkëpunimit në nivel të qeverive rajonale – pavarësisht nga etiketat, autorësinë dhe pjesëmarrjen, mund të kontribuojnë gjithashtu në zgjidhjen e tensioneve politike dhe problemeve. Kjo është veçanërisht e vërtetë tani, kur të gjitha pjesët e rajonit janë të prekura nga rreziqe të ngjashme të zinxhirit të furnizimit dhe sfida të tjera ekonomike. Natyrisht, as nismat rajonale nuk janë ilaç. Paqja e qëndrueshme kërkon shumë më tepër, duke përfshirë angazhimin e drejtpërdrejtë të komuniteteve dhe kuptimin më të mirë të pikëpamjeve, shqetësimeve dhe interesave të tyre. Këtu roli i misioneve si ky i yni mund të bëjë më shumë për të mbështetur progresin”, u shpreh ajo.
Në fund, Ziadeh tha se është e bindur se çdo marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund të arrihet dhe zbatohet vetëm me një shkallë të lartë të përfshirjes dhe përgjegjësisë publike.