Dhjetë të vdekur nga rrëzimi i një avioni në Rusi, Prigozhin raportohet të ketë qenë në bord
Një avion privat me dhjetë persona në bord - në mesin e të cilëve raportohet të ketë qenë edhe shefi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, u rrëzua në veri të Moskës, njoftoi Ministria ruse e Emergjencave.
"Avioni privat, Embraer Legacy, u rrëzua jashtë lokalitetit të populluar, Kuzhenkino, në rajonin Tver. Dhjetë persona, përfshirë tre anëtarë të ekuipazhit, ishin në bord. Sipas raporteve paraprake, të gjithë humbën jetën", tha shërbimi për shtyp i Ministrisë.
Agjencia Federale për Transportin Ajror të Rusisë - Rosaviatsiya - shtoi se në listëm e pasagjerëve ishte edhe emri dhe mbiemri i Yevgeny Prigozhinit.
Avioni raportohet se i përkiste grupit mercenar rus, Wagner.
Sipas agjencisë së lajmeve, TASS, ai po fluturonte nga Moska në Shën Petersburg.
Një kanal në Telegram, i njohur si Gray Zone dhe i lidhur me Wagnerin, raportoi se avioni u rrëzua nga mbrojtja ajrore në rajonin Tver, në veri të Moskës.
Prigozhin udhëhoqi një rebelim të dështuar kundër forcave të armatosura ruse në muajin në qershor./REL