Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i ra sot kambanës së alarmit për sfidat madhore me të cilat përballet bota. Guterres tha në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, se krizat “e ndërlidhura”, përfshirë ndryshimet e klimës dhe lufta e Rusisë në Ukrainë, kanë shkaktuar “një gjendje për të ardhur keq” në botë, siç u shpreh ai.
Sekretari Guterres paraqiti një tablo pesimiste në fjalimin e tij në ditën e dytë të Forumit, duke thënë se ndasitë e thella gjeopolitike dhe shkalla e lartë e mosbesimit, po minojnë përpjekjet për të trajtuar problemet globale.Guterres shton se gjendja bëhet edhe më e mjerueshme nga konflikti, dhuna dhe lufta.
“Sidomos agresioni rus ndaj Ukrainës, jo vetëm për shkak të vuajtjeve të jashtëzakonshme të popullit ukrainas, por për shkak të implikimeve të thella në çmimet globale të ushqimit dhe energjisë, mbi tregtinë dhe zinxhirët e furnizimit, tek çështjet e sigurisë bërthamore, themelet e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara", tha ai.
Ai veçoi ndryshimet e klimës si një "sfidë ekzistenciale".
"Çlirimi i gazeve që shkaktojnë efektin serrë është në nivele rekord dhe në rritje. Angazhimi për të kufizuar rritjen e temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius pothuajse po dështon. Pa veprime të mëtejshme, ne po shkojmë drejt një rritjeje prej 2.8 gradësh dhe pasojat do të ishin shkatërruese", tha ai.
"Ne mësuam javën e kaluar se disa prodhues të lëndëve djegëse fosile ishin plotësisht të vetëdijshëm në vitet '70 se produkti i tyre kryesor po e zhuriste planetin tonë," tha ai në fjalimin e tij.
Ai shtoi se disa përfaqësues të industrisë së naftës, përhapën “një gënjeshtër të madhe."
Ambientalistët, për shembull, e konsiderojnë hipokrizi faktin që shumë pjesëtarë të Forumit i japin përparësi betejës kundër ndryshimeve të klimës, ndërkohë që përdorin avionë privatë që çlirojnë sasi të mëdha karboni./VOA