Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dënoi "ashpër" sulmet e Rusisë kundër porteve në Odesa dhe porteve të tjera ukrainase në Detin e Zi, tha të enjten zëdhënësi i tij.
"Sulmet bien ndesh me angazhimet e Federatës Ruse sipas Memorandumit të Mirëkuptimit me Kombet e Bashkuara, i cili thotë se "Federata Ruse do të lehtësojë eksportin e papenguar të ushqimit dhe vajit të lulediellit nga portet e kontrolluara ukrainase të Detit të Zi", tha Stephane Dujarric në një deklaratë.
"Këto sulme kanë gjithashtu një ndikim përtej Ukrainës. Tashmë po shohim ndikimin negativ në çmimet globale të grurit dhe misrit, i cili dëmton të gjithë, por veçanërisht njerëzit e cenueshëm në jugun global", thuhet në deklaratë.
“Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm nuk do të heqë dorë në përpjekjet e tij për të siguruar që ushqimi nga Ukraina dhe Rusia të jenë të disponueshme në tregjet ndërkombëtare si pjesë e përpjekjeve të tij të vazhdueshme për të luftuar urinë globale dhe për të siguruar çmime të qëndrueshme të ushqimit për konsumatorët kudo”, shtoi ai, shkruan AA, përcjell KosovaPress