Shefi i NATO-s: Duhet të marrim mësim nga Turqia sa i përket armatimit
Bota
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Shefi i NATO-s: Duhet të marrim mësim nga Turqia sa i përket armatimit
NATO Secretary General visits Türkiye
22/04/2026 - 19:56
Linku u kopjua

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të mërkurën në Ankara se industria e mbrojtjes e Aleancës Veriatlantike mund të mësojë nga Turqia, duke e përshkruar vendin si një shembull që ka kaluar një “revolucion industrial të mbrojtjes”.

Duke folur në selinë e Aselsan-it, një prej kompanive kryesore të industrisë së mbrojtjes në Turqi, Rutte tha se sektori ka “shumë” për të mësuar nga ajo që ka arritur vendi, duke vënë në dukje përparimin e shpejtë të viteve të fundit, shkruan Anadolu Agency, përcjellë KosovaPress.

Ai theksoi se përshpejtimi i prodhimit industrial të mbrojtjes, së bashku me inovacionin, është një “prioritet kryesor” për NATO-n, duke shtuar se të dyja këto çështje do të jenë në qendër të samitit të aleancës në Ankara në korrik.

Rutte tha se aleatët e NATO-s duhet “të bëjnë më mirë” dhe “të bëjnë më shumë”, duke nënvizuar se vetëm rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, nuk do të garantonte sigurinë pa rritur prodhimin e kapaciteteve kyçe si sistemet e mbrojtjes ajrore, dronët, municionet, radarët dhe teknologjitë hapësinore.

“Sigurisht, ne do të festojmë faktin që kolektivisht po arrijmë të rrisim shpenzimet për mbrojtjen, por prodhimi industrial i mbrojtjes do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse duhet të bëjmë më mirë, duhet të bëjmë më shumë, dhe mund të mësojmë shumë nga ajo që po bën Turqia këtu,” tha ai.

Shefi politik i NATO-s tha se Turqia ka kaluar një “revolucion industrial të mbrojtjes”, duke shtuar se Aselsan është “në vijën e parë” të këtyre zhvillimeve ndërsa i bëri thirrje kompanisë që e vizitoi “të prodhojë dhe të inovojë edhe më shumë dhe më shpejt”.

Ai theksoi rolin e industrisë së mbrojtjes në garantimin e sigurisë kolektive, duke thënë se mbrojtja e “një miliard njerëzve në gjithë Evropën dhe Amerikën e Veriut” nuk mund të arrihet vetëm nga ushtritë. Sipas tij, kjo kërkon edhe kapacitet të fortë industrial.

Rutte vuri në pah bashkëpunimin në rritje në fushën e mbrojtjes në të gjithë aleancën, duke theksuar se kompanitë turke po zgjerojnë praninë e tyre jashtë vendit, përfshirë eksportet dhe operacionet në disa vende evropiane, dhe bëri thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit “nga Alaska në Ankara”.

“Së fundmi, siç e dini, Aselsan i shiti Polonisë sisteme të avancuara të luftës elektronike. Ju keni nisur operacione në Shqipëri dhe Rumani, dhe keni pajisur një anije për Marinën Kroate,” tha Rutte.

Ai tërhoqi vëmendjen edhe te roli i inxhinierëve të rinj, duke theksuar se mosha mesatare në Aselsan është rreth 33 vjeç – dhe ndoshta edhe më e ulët.

“Prandaj jam i lumtur t’ju drejtohem juve, inxhinierëve të rinj që bëni të mundur gjithë këtë,” shtoi ai.

Aselsan, me seli në Ankara, u themelua në vitin 1975 dhe është rritur për t’u bërë një nga kompanitë më të mëdha të mbrojtjes në Turqi, duke u renditur ndër 50 më të mëdhatë në fushën e saj në botë.

Ajom sipas AA-së, u bë firma e parë turke që arriti një vlerë tregu prej 30 miliardë dollarësh në janar 2026.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026