SHBA: Shkel njerëzit me kamion, qëllon me armë – shumë të vrarë e të plagosur
Bota
Lexohet për: 2 min.
2 javë më parë
Linku u kopjua
Një sulmues është futur me një kamionçinë në një grup njerëzish në New Orleans dhe sipas informacioneve të para, 10 persona kanë humbur jetën, ndërsa 35 janë plagosur.
Incidenti ndodhi në rrugën Bourbon gjatë një festimi të Vitit të Ri rreth orës 03:15 të mëngjesit sipas kohës lokale. Është një rrugë e njohur për baret dhe klubet e saj të shumta.
Rruga është mbyllur dhe të gjitha shërbimet janë në terren. Nuk dihet nëse sulmuesi është arrestuar. Policia njoftoi se sulmi ishte "shumë i qëllimshëm" dhe se sulmuesi po qëllonte mbi njerëzit.
Kryebashkiaku i New Orleans LaToya Cantrell tha se qyteti ishte goditur nga një "sulm terrorist" dhe ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë.
Kryeinspektorja e policisë së Nju Orleans, Anne Kirkpatrick përjashtoi mundësinë që të ishte një incident i drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit, duke u shprehur se autori ishte “i vendosur të bënte kërdi”.
Edhe drejtuesi i mjetit ka qëlluar me armë zjarri nga mjeti pas përplasjes, duke plagosur dy efektivë policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetë.
FBI ka marrë përsipër hetimin dhe thotë se në vendngjarje u gjet një mjet shpërthyes i improvizuar.
"Ky nuk është një sulm terrorist," tha agjentja Althea Duncan. “Në vendin e ngjarjes u gjetën mjete shpërthyese të improvizuara”, shtoi ajo.
Guvernatori i Luizianës, Jeff Landry, e quajti rastin një "akt të tmerrshëm dhune" dhe kërkoi lutje për viktimat.