SHBA-të mirëpritën të martën miratimin e Turqisë për hyrjen e Suedisë në aleancën e NATO-s, duke thënë se çështja ka qenë një "përparësi e rëndësishme" për presidentin Joe Biden.
"Ne mirëpresim votën e parlamentit turk që miraton kërkesën e Suedisë për t'u bashkuar me NATO", tha Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare të Biden, në X, shkruan AA, transmeton KosovaPress.
Parlamenti turk disa orë më parë ratifikoi me shumicë dërrmuese anëtarësimin e Suedisë me 287 vota pro. Hungaria është tani i vetmi vend anëtar i NATO-s që nuk ka nënshkruar hyrjen e Suedisë në aleancë.
Finlanda dhe Suedia – të dyja vendet nordike afër ose në kufi me Rusinë – aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pasi Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Pas miratimit të parlamentit turk, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i tha Anadolu se Biden vazhdon të mbështesë shitjen e F-16 dhe kompleteve të tyre të modernizimit në Ankara, duke thënë se kjo "do të ndihmojë në lehtësimin e ndërveprimit të NATO-s dhe është në interesin kombëtar të SHBA".
"Presidenti Biden ka qenë prej kohësh i qartë se ai mbështet shitjen e F-16 në Turqi për të modernizuar flotën e tyre ajrore", tha zëdhënësi në kushte anonimiteti. "Kongresi ka një rol të rëndësishëm në miratimin e shitjeve të armëve dhe ne po punojmë me Kongresin për këtë."