SHBA kërkon lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Shtetet e Bashkuara kërkuan të enjten lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të ndaluar nga forcat serbe.
Ky qëndrim i SHBA-ve u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp.
"Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të ç’tensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi", tha ai, shkruan Zëri i Amerikës.
Miller tha gjithashtu se "të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja".
"Si pjesë e kësaj Kryeministri Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat e policisë", tha Miller.
Zëdhënësi Miller tha se SHBA dënon "dhunën e papranueshme ndaj forcave të KFOR-it, anëtarëve të zbatimit të ligjit dhe gazetarëve dhe përsa i takon rrugës më tej ne vazhdojmë të angazhohemi si drejtpërdrejt me të dyja palët, dhe me partnerët në rajon.
Ai tha se Sekretari i Shtetit Antony Blinken, këshilltari Derek Chollet dhe zyrtarë të tjerë të DASH-it janë të angazhuar me partnerët në rajon për këtë çështje, transmeton Zëri i Amerikës.