ShBA: Izraeli ka pranuar kornizën për marrëveshjen e armëpushimit në Gazë
Lexohet për: 4 min.
Israeli attacks on Gaza continue
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Izraeli ka pranuar kornizën e një marrëveshje për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve dhe tani Hamasi duhet të marrë një vendim për këtë, tha një zyrtar i administratës amerikane të shtunën, një ditë para se në Egjipt të rifillojnë bisedimet për amëpushim.

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kanë punuar për javë të tëra për të arritur një marrëveshje që do të mundësonte ndërprerjen e luftimeve përpara se të nisë muaji i shenjtë i Ramazanit më 10 mars.

Marrëveshja do t’i hapte rrugën dërgimit të ndihmave humanitare për qindra mijëra palestinezë në veri të Gazës, të cilët, sipas zyrtarëve të ndihmave, rrezikohen nga uria.

Izraelitët “e kanë pranuar pak a shumë propozimin”, që përfshin 6 javë armëpushim dhe lirimin e pengjeve nga Hamasi, të cilët konsiderohen si të rrezikuar, duke përfshinë të sëmurët, të moshuarit, të plagosurit dhe gratë, tha zyrtari amerikan.

“Tani, topi është në anën e Hamasit dhe ne po përpiqemi t’i çojmë përpara përpjekjet për arritjen e një marrëveshje sa më shumë që mundemi”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonomiti, sipas rregullave të vendosura nga Shtëpia e Bardhë, në kuadër të informimit të gazetarëve.

Zyrtarët nga Izraeli dhe Hamasi nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment nga agjencia e lajmeve Associated Press.

Një zyrtar i lartë nga Egjipit tha se ndërmjetësit nga Egjipti dhe Katari pritet të marrin një përgjigje nga Hamasi gjatë bisedimeve që janë parashikuar të mbahen të dielën në Kajro.

Zyrtari foli në kushte anonomiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht për bisedimet.

Bisedimet vijnë në mesin e kritikave në rritje mbi dëshpërimin e qindra mijërave njerëzve që po luftojnë për të mbijetuar në veri të Gazës, e cila ka mbajtur peshën kryesore të konfliktit që filloi kur grupi militant i Hamasit sulmoi Izraelin më 7 tetor. Sipas autoriteteve izraelite në sulmin e militantëve të Hamasit u vranë 1200 njerëz, kryesisht civilë, ndërsa rreth 250 të tjerë u morën peng.

Avionët ushtarakë të Shteteve të Bashkuara nisën sot shpërndarjen e ndihmave humanitare në rrugë ajrore, ndërsa ushtritë e Jordanisë dhe Egjiptit thanë se kishin bërë dërgesa të ngjashme.

Shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian tha të shtunën se shumë nga dhjetra palestinezët që u plagosën dhe u vranë nga kaosi, ndërsa kishin rrethuar një kolonë humanitare, u goditën nga ushtria izraelite, dhe bëri thirrje për hetim ndërkombëtar.

Banorët në veri të Gazës thonë se po kërkojnë nën rrënoja apo në mesin e mbeturinave për të gjetur ndonjë gjë për të ushqyer fëmijët, të cilët mezi hanë një racion në ditë. Shumë familje kanë filluar të përziejnë ushqimin e kafshëve dhe shpendëve me grurë për të pjekur bukë. Zyrtarët agjencive ndërkombëtare të ndihmave thonë se kanë hasur uri katastrofike.

Ne po vdesim nga uria," tha Soad Abu Hussein, një e ve dhe nënë e pesë fëmijëve që strehohet në një shkollë në kampin e refugjatëve Jabaliya.

Të paktën 10 fëmijë kanë vdekur nga uria, sipas të dhënave spitalore në Gazë, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi tha se numri i të vdekurve palestinezë nga lufta ka arritur në 30,320 vetë. Ministria nuk bën dallime mes civilëve dhe luftëtarëve në shifrat e saj, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë rreth dy të tretat e të vrarëve.

Izraeli dhe Hamasi zbatuan një armëpushim njëjavor në fund të nëntorit. Armëpushimi bëri të mundur lirimin e rreth 100 pengjeve, kryesisht gra, fëmijë dhe shtetas të huaj, në këmbim të rreth 240 palestinezëve të burgosur nga Izraeli, si dhe një ndalese të shkurtër të luftimeve. /voa/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024