Partia proruse, Fronti Demokratik (DF) dhe Partia Boshnjake (BS) kanë hyrë në Qeverinë e Malit të Zi, pasi Parlamenti votoi më 23 korrik për riformatizmin e ekzekutivit. Shtetet e Bashkuara thanë se janë të shqetësuara për përfshirjen e këtyre partive në Qeveri.
Partia proruse do të ketë dy poste të zëvendëspresidentit dhe do të udhëheqë dy ministri, ndërkaq partia boshnjake do të ketë një zëvendëspresident dhe pesë ministra.
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, gjatë adresimit të tij tha se Mali i Zi është në paqen më të mirë në historinë e tij.
“Kjo qeveri është garantuese e stabilitetit dhe pjekurisë. Ne jemi tregues se si serbët dhe shqiptarët, serbët dhe boshnjakët mund të jetojnë dhe punojnë së bashku”, tha Spajiq.
“Koka dhe truri janë në Moskë. Koka e kësaj qeverie është [kryetari i Parlamentit] Andrija Mandiq, prandaj në të nuk ka asnjë malazezë”.
SHBA-ja, "e shqetësuar" me hyrjen e partive proruse në Qeveri
Nga Ambasada amerikane thanë për Radion Evropa e Lirë se mbështesin një qeveri të përkushtuar për anëtarësimin e shtetit në BE, respektimin e vlerave euroatlantike dhe pjesëmarrjen e plotë në NATO, që pasqyron përbërjen multikulturore të Malit të Zi.
“Ne jemi të shqetësuar për përfshirjen në Qeveri të partive dhe liderëve që nuk dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës, janë kundër sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe veprimet e të cilëve janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, tha Ambasada amerikane.
“Si aleate dhe partnere e ngushtë i Malit të Zi, SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë dhe njoh veprimet konstruktive të Kuvendit dhe Qeverisë, duke vënë në pah aktivitete që janë në kundërshtim me vlerat euroatlantike dhe rrezikojnë përparimin e prekshëm drejt integrimit. në Bashkimin Evropian”, tha Ambasada amerikane në një përgjigje për REL-in.
Ky është riformatizimi i parë i Qeverisë së Spajiqit, e cila u formua në fund të tetorit të vitit të kaluar me votat e 46 deputetëve nga 81 sa janë gjithsej.
Politika e këtyre partive është në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi, i cili është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Këto parti mbështesin heqjen e sanksioneve kundër Rusisë - të vendosura për shkak të agresionit të saj në Ukrainë - nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtare të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, mbështesin kriminelët e dënuar të luftës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, etj.
SHBA-ja, në disa raste, ka shprehur shqetësim për përfshirjen në pushtet të partive që kundërshtojnë vlerat euroatlantike.
Shqetësime të ngjashme kanë shprehur edhe institucionet evropiane.