Shaqiri: Kosova t’i qaset më seriozisht Luginës së Preshevës
Lexohet për: 4 min.
akademia
2 vite më parë
Linku u kopjua

Me rastin e 40-vjetorit të LPK-së dhe 25-vjetorit të kalimit të Këshillit të Rrethit të Preshevës në formacion ushtarak të UÇK-së, sot në Gjilan është mbajtur akademi mirënjohjeje në mbështetje të Luginës së Preshevës - Kosovës së paçliruar.

Me këtë rast u kërkua një qasje shumë më serioze në mbështetje të Luginës së Preshevës, pasi sipas tyre banorët shqiptarë të Luginës janë duke e braktisur atë.

Veprimtari i çështjes kombëtare, Bajrush Xhemaili tha se ish-mbretëria jugosllave nuk u mjaftua me vetëm okupimin e territoreve shqiptare, por dëshironte edhe zhdukjen e shqiptarëve.

Ai shtoi se përballë kësaj gjendje të rëndë u ngritën figura te shquara patriotike si Hasan Prishtina, Azem e Shotë Galica, Bajram Curri, Haxhi Hoxhë Kadri Prishtinë, në mënyrë që lufta për liri të mos pushojë asnjëherë.

"Lugina e Preshevës ka qenë pjesë e pandashme e Kosovës dhe tejet e rëndësishme me të gjitha sakrificat prej më të ndryshmeve. Prandaj edhe i kemi të përbashkëta të gjitha, që nga territori kombëtar e deri të luftëra që bashkë bëmë me shekuj, e veçanërisht në luftërat e fundit të udhëhequra nga UÇK-ja dhe Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Kemi të përbashkët luftën e fqinjëve të afërm, kemi qenë qeveri të përbashkëta, por të përbashkët nuk e kemi atë për të cilën luftuam - lirinë. Derisa Kosova është bërë shtet i njohur ndërkombëtar, sot Luginës i mohet e drejta elementare kombëtare e çdo ditë më shumë shqiptarëve u vështirësohet mundësia e komunikimit me Kosovën e lirë. Por, Lugina ashtu siç e kishte të përbashkët të kaluarën duhet ta ketë të përbashkët edhe të ardhmen... Po ashtu, ardhur koha që shteti i Kosovës të njihet nga Serbia", tha ai.

Shaqir Shaqiri, njëri nga bartësit e përgjegjësive të organizimit dhe veprimtarisë  në Luginë të Preshevës, i persekutuar me burg politik qysh si i mitur, paraqiti një historik të organizimit dhe veprimtarisë së vazhdueshme ndër vite në Luginë të Preshevës. Më tej ai ka shtuar se Lugina e Preshevës nuk ka asnjë ndarje gjeografike nga Kosova.

"Lugina e Preshevës nuk ka ndarje gjeografike me Kosovën. Ajo është e bashkangjitur dhe ka të përbashkëta veprimtarët politikë, luftën për çlirim, plagët e lirisë, dëshmorët e heronjtë, por të përbashkët nuk e kanë vetëm lirinë. Derisa sot Kosova është lirë, Lugina e Preshevës përballet me politika permanente nga Serbia, derisa Kosova garanton të drejtat më të mëdha që njeh historia për pakicat serbe, Serbia ua ndaloi çdo simbol kombëtar shqiptarëve, përpos edhe i kërcënon, Serbia i detyron nxënësit shqiptarë të mësojnë historinë serbe, ndërsa Kosova në emër të reciprocitetit ua vështirëson lëvizjen e lirë shqiptarëve të Luginës në drejtim të Kosovës", tha ai.

Ai po ashtu ka kërkuar zgjidhje politike dhe një qasje më serioze në mbështetje të Luginës së Preshevës.

"Është alarmante dhe duhet ta kuptojmë të gjithë, në veçanti Prishtina zyrtare se në Luginën e Preshevës ka 50 për qind më pak banorë rezidentë se sa në vitin 1999/2000 dhe po vazhdon me të madhe shpopullimi. Andaj Lugina e Preshevës kërkon zgjidhje politike dhe është momenti i fundit për një qasje shumë më serioze në mbështetje të saj. Lugina e Preshevës është Kosovë e pa çliruar", tha ai.

Kryetari i Këshillit Nacional për Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi ka shprehur mirënjohje gjithë shqiptarëve që janë munduar në vazhdimësi ta kenë lirinë ideal edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

"Liria është parakusht për dinjitet, identitet, drejtësi e barazi. Mungesa e lirisë sigurisht reduktohet në mëshirën e shtypjes...Lugina e Preshevës ka qenë në hap me Kosovën e për këtë na bënë krenarë e që më tej idealin e kemi të përbashkët", tha ai.

Në këtë akademi për veprimtarinë e tyre kombëtare me mirënjohje janë nderuar  Ali Aliu, Njazi Kadriu, Xhavit Nuhiu, Xhevat Ajvazi, Ibrahim Fejzullahu, Sadik Jashari dhe Jonuz Musliu.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025