Drejtori i Departamentit për Politika të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, Blerim Shabani, ka deklaruar se institucionet kanë ndërmarrë veprime konkrete lidhur me rastin e dyshuar të keqtrajtimit të një fëmije 5-vjeçari në Lipjan.
Në një konferencë për media lidhur me këtë çështje, Shabani ka theksuar se përgjegjësia për menaxhimin e rasteve të tilla bie ekskluzivisht mbi komunat, përkatësisht Qendrat për Punë Sociale, të cilat funksionojnë në secilën komunë të Kosovës. Por, ka shtuar se fëmijët janë vendosur në një ambient të sigurt dhe janë nën përkujdesje institucionale, raporton KosovaPress.
Siç tha ai, ministria ka kërkuar një raport kronologjik të detajuar nga Qendra për Punë Sociale për mënyrën e trajtimit dhe menaxhimit të rastit, si dhe ka autorizuar njësinë inspektuese për të kryer vlerësimet përkatëse.
“Ne kemi marrë disa hapa, siç është mbikëqyrja profesionale, kemi kërkuar një raport kronologjik të hollësishëm lidhur me trajtimin, menaxhimin, e rastit të fëmijëve nga Qendra për Punë Sociale dhe normalisht në përputhje me këto kompetenca dhe përgjithësi kemi autorizuar dhe njësinë inspektuese e cila është në kuadër të ministrisë në të cilën ne bëjmë pjesë. Por, ajo që është e rëndësishme të sqarojmë, është që çështja e trajtimit dhe menaxhimit të rastit, është një çështje kompetencës ekskluzive e komunave, për sa i përket ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare, më saktë e Qendrës për Punë Sociale, e cila është në kuadër të kompetencave të komunës, apo më saktë në kuadër të Republikës së Kosovës kemi 38 qendra për punë sociale, të cilat, në secilën komunë ka nga një qendër për punë sociale e cila menaxhohet në mënyrë të drejtpërdrejt nga komunat”, ka deklaruar Shabani.Ai shtoi se nuk do të japë detaje të pa konfirmuara deri në përfundimin e raporteve zyrtare.
“Në momentin që si ministri jemi vënë në dijeni në përputhje me kompetencat, rolin, mandatin dhe autorizimet që na japin legjislacioni primar dhe sekondar, ne kemi ofruar pëlqime për vendosjen e fëmijëve në strehim familjar në familjet që janë të vlerësuara dhe të aprovuara që ofrojnë shërbime për fëmijët pa kujdes prindëror dhe autorizimin për njësinë inspektuese e cila në bazë të autorizimeve që jep ligji i shërbimeve sociale dhe familjare ka filluar procesin e vlerësimit të rrethanave mbi përmbushjen e detyrimeve për sa i përket çështjeve të menaxhimit të rastit në fjalë. Nuk do të doja që të lëshohem në informacione që janë të tipit të hamendësimeve, sepse kjo do të krijonte dilema edhe për opinionin publik, mirëpo po presim edhe raportin kronologjik dhe normalisht do të presim edhe raportin preliminar nga inspektimi lidhur me çështjet e trajtimit të rastit të fëmijëve”, ka thënë ai.