Mbi 1 mijë familje pritet të përfitojnë sërish këtë vit nga projekti “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, e cila do të lansohet të hënën sërish nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë bashkë me Zyrën e Bashkimit Evropian (BE). Ndërsa, për dallim nga thirrja e kaluar, kësaj radhe përfitues mund të jenë edhe qytetarët në komunat veriore të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, Fillojetë Konjuhi nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE). Derisa thotë se kusht kryesor për këtë thirrje është konsumimi i energjisë të cilin duhet të dëshmojnë përmes njësorëve në platformën e-Kosova.
Konjuhi derisa thotë se buxheti për këtë vit është pesë milion euro, shton se thirrja mund të mbyllet me mbushjen e buxhetit, e cila shton se edhe këtë herë vlen parimi që ai që aplikon i pari, merr shërbimin i pari.
Për dallim nga thirrja e kaluar, kësaj radhe mund të përfitojnë edhe qytetarët në komunat veriore të vendit, pasi siç thotë ajo, tanimë mund të dëshmojnë konsumin energjisë.
“Përderisa vitin e kaluar qytetarët në komunat veriore të Kosovës e kanë pasur të pamundur të aplikojnë si mungesë e njësorëve që kanë pas, sivjet ata kanë të drejtë të aplikojnë, sepse mund të dëshmojnë konsumin e energjisë. Tashmë ne kemi zyrën rajonale në Mitrovicën e Veriut, në të cilën gjithë qytetarët mund të shkojnë çdo ditë pune aty, dhe të marrin konsulta se si të aplikojnë, stafi jonë do t’i ndihmojë rreth procedurave dhe aplikimit”, shton Konjuhi.
Ajo derisa ka dhënë më shumë detaje lidhur me projektin, thotë se kusht kryesor është konsumimi i energjisë të cilin duhet të dëshmojnë përmes njësorëve në platformën e-Kosova.
Konjuhi shton se lista e auditorëve të energjisë del në faqen zyrtare të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë bashkë me gjitha dokumentet tjera, dhe qytetarët duhet të thërrasin auditorin e energjisë të kryejnë raportin e thjeshtëzuar të auditimit dhe pastaj të fillojnë aplikimin në platformën e-Kosova.