Kanë kaluar katër ditë që disa mësues kanë pushuar punën, kanë pasur edhe mbështetjen e prindërve, e tani po u bashkohen më shumë kompani, media, institucione kulturore, objekte hoteliere, organizata dhe kjo listë po bëhet më e gjatë çdo minutë.
Portalet e grupit United Media - Nova.rs, Danas, Radar, Sportklub, TV Nova, si dhe gazetat Nova dhe Danas, kanë njoftuar se po i bashkohen grevës së përgjithshme. Edhe komuniteti serb i IT-së po i bashkohet grevës. “Në një periudhë shumë të shkurtër kohore kemi mbledhur njerëz nga mbi 50 kompani që operojnë në Serbi në sektorin e IT-së dhe ky numër është në rritje”, thuhet në rrjetin social LinkedIn. Do të mbyllen edhe kinematë.
Ligji për grevë është miratuar në vitin 1996, gjatë ekzistencës së Republikës Federale të Jugosllavisë. Ky ligj e përkufizon grevën si “ndërprerje pune e organizuar nga punonjësit për të mbrojtur interesat e tyre profesionale dhe ekonomike në bazë të punës”.
Sipas dispozitave të ligjit, grevë mund të organizohet brenda një shoqërie, personave të tjerë juridikë ose pjesëve të tyre, te punëdhënësi, në një degë ose veprimtari të caktuar ose si grevë e përgjithshme.Sipas ekspertit të së drejtës së punës, Mario Relanoviq në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ligji për Grevën nuk është modernizuar në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe përkufizimi i grevës së përgjithshme mbetet i paqartë. Relanoviq shpjegon se greva e përgjithshme i referohet ndalimit të punës në sektorë dhe industri të ndryshme me qëllim të shprehjes së pakënaqësisë me politika, ligje apo praktika të caktuara.
Ai shton se mangësia kryesore e ligjit është se në radhë të parë i rregullon grevat në nivel të punëdhënësve individualë, ndërsa grevat e përgjithshme, si formë më e gjerë e mosbindjes civile, janë anashkaluar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka komentuar shpalljen e një greve të përgjithshme nga Davosi, ku ndodhet në Forumin Ekonomik Botëror. Ai tha se as studentët nuk e dinë se cila nga kërkesat nuk është plotësuar.
Vuçiq theksoi se në Serbi ka shumë të çmendur. “Unë shoh që disa po shpallin që nesër nuk do të shkojnë në palestër, se do të blejnë bukë më herët, a do të drekojnë apo darkojnë atë ditë... Ka shumë të çmendur në vendin tonë”, ka shtuar ai.
Ndër kërkesat e studentëve janë publikimi i dokumenteve për rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, nga shembja e të cilit humbën jetën 15 persona, pezullimi i procedimit penal ndaj studentëve të arrestuar, ndjekja penale e përgjegjësve për sulme ndaj studentëve dhe pedagogëve, dhe një rritje të buxhetit për arsimin e lartë 20 për qind. Iniciativën e tyre e kanë përkrahur edhe disa pedagogë që refuzojnë marrëveshjen për rritje pagash të arritur me qeverinë serbe.