Qeveria serbe ka bllokuar transferet dhe donacionet nga Kosova, që për qëllim kanë zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar në Luginë. Kështu kanë njoftuar të enjten përfaqësues të Luginës së Preshevës.
Kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Enkel Rexhepi, ka njoftuar se nuk bëhet fjalë për një çështje teknike.
Sipas tij, faktet dëshmojnë që kjo po ndodhë nëpërmjet bankës nga Qeveria e Serbisë dhe ministri Demo Berisha.
Lidhur me këtë, nga Qeveria e Republikës së Kosovës kanë deklaruar se janë ndërmarrë hapat konkretë për të njoftuar Bashkimin Evropian dhe faktorët relevantë ndërkombëtarë.“Ky është rasti i dytë që mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës pengohen në mënyrë të pajustifikuar, duke dëshmuar për një model të përsëritur të bllokimit institucional. Rasti konkret lidhet me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 10 tetor 2025, përmes të cilit janë ndarë 304,511.16 euro për Këshillin Kombëtar Shqiptar, mjete që nuk janë ekzekutuar pasi janë bllokuar nga autoritetet në Serbi. Ndërkaq, në prill 2026, shuma totale e mjeteve të bllokuara ka arritur në 1,837,511.16 euro, të dedikuara për projekte në arsim, kulturë, trashëgimi kulturore, si dhe për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Luginë.”
Nga Qeveria kanë bërë me dije se e kanë ndërmarrë hapa konkretë për të njoftuar Bashkimin Evropian dhe faktorët relevant ndërkombëtarë, duke kërkuar reagim ndaj kësaj praktike që bie ndesh me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.