Serbi dënohet për krime lufte në Kosovë
Lexohet për: 5 min.
Gjykata-Themelore-Prishtine-750x406-1-1
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur në çështjen penale kundër të akuzuarit E.B për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile në bashkëkryerje.

Sipas një komunikate, i akuzuari E.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë vite, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 19.10.2022 e tutje, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me këtë aktgjykim, ndaj të akuzuarit E.B vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me burgim.

“Detyrohet i akuzuari që ti paguaj shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej treqind euro, si dhe në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej njëqind euro, të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil. Gjatë kohës luftës në Kosovë, respektivisht me datën 07 dhe 08 Maj 1999, gjatë një aksioni të forcave ushtarake, paramilitare dhe forcave policore serbe, kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat Stradran, Zallc, Gurrakoc dhe fshtartat tjera përreth të Komunës së Isogut, i detyruan popullatën civile që t’i lëshojnë shtëpitë tyre dhe i udhëruan që të shkojnë në Shqipëri, ashtu që i akuzuari E.B, si polic në Stacionin Policor në Gurrakoc - Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, kishin vepruar në këto fshatra, në kundërshtim me Ligjin Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale) dhe me Rrregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, konkretisht nenin 3 të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 Gusht të vitit 1949 dhe Protokollet shtesë, ashtu që mori pjesë në dëbimin, vrasjen dhe ushtrimin e dhunës ndaj popullatës civile shqiptare në atë mënyrë që me 08 maj 1999, në fshatin Staradran, Komuna e Istogut, derisa kolona e popullsisë civile e nacionalitetit shqiptar ishte duke shkuar në drejtim të Shqipërisë, u ndal nga forcat ushtarake dhe policore serbe ku bënte pjesë edhe i akuzuari E.B, ashtu që nën kërcënimin e armëve i ndan meshkujt nga pjesa tjetër civile, ku ishin gratë, pleqtë dhe fëmijët, ashtu që fillimisht iu marrin paratë dhe gjësendet e tjera me vlerë, e më pastaj  të gjithë i  vendosin në oborrin e shtëpisë së D.Z duke i renditur në radhë një nga një, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit,  pastaj i sulmojnë fizikisht, duke i rrahuar me mjete të ndryshme duke shkaktuar dhunë dhe duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore, duke ju thënë “Ku e keni NATO-n”, Ku e keni UÇK-në”, dhe më pas së bashku edhe me forcat paramilitare i dërguan një nga një në shtëpinë e Z.S dhe i pushkatojnë të paktën 16 (gjashtëmbëdhjetë) civilë të nacionalitetit shqiptar,  në mesin e tyre edhe të mbijetuarin këtu të dëmtuarin N.E, të cilin e kishin goditur me një predhë të një mitralozi në pjesën e fytyrës dhe kishin gjuajtur si të vdekur në grumbullin e kufomave tjera, mirëpo i njëjti iu kishte mbijetuar plagëve, me ç’rast kishte mbetur i plagosur rëndë, kurse të vrarë kishin mbetur D.G, H.E, N.E, M.E, M.E, Sh.E, N.E, A.E, I.A, M.D, B.D, R.Sh, G.I, B.M, J.A dhe I.L”, thuhet në njofitm.

Po ashtu, më 7 maj 1999 në fshatin Staradran, ka marrë pjesë në arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 (tetëdhjetekatër) civilëve të nacionalitetit shqiptar, ashtu që  fillimisht të dëmtuarit (meshkujt) i ndajnë nga kolona tjetër e civilëve, u marrin të gjitha paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e  pastaj që të gjithë i dërgojnë në Gurrakoc në lokalin e Sh.S ku i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, ndërsa me 8 maj 1999 i kishin transferuar në stacionin policor në Gurrakoc, ku kolonës i printe i akuzuari  E.B dhe i njëjti e kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut të dëmtuarin A.T në anën e djathtë nën brinjë dhe pas vendosjes në stacionin policor në Gurrakoc kanë filluar duke i torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore, dhunë psikike, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke i kanosur seriozisht për jetë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024