Pas 18 muajsh negociatash dhe një sesioni maratonë të natës, Senati amerikan miratoi sot planin e Joe Biden për klimën dhe shëndetin, i cili përfaqëson një fitore të rëndësishme për presidentin më pak se 100 ditë përpara zgjedhjeve të rëndësishme të Kongresit.
Demokratët vetëm me votat e tyre në Senat miratuan planin prej më shumë se 450 miliardë dollarësh investimesh, i cili tani do të dërgohet për miratim në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan dhe votimi pritet javën e ardhshme.
Plani është rezultat i kompromiseve të vështira me krahun e djathtë të Partisë Demokratike dhe përfshin investimin më të madh ndonjëherë në SHBA për klimën, 370 miliardë dollarë për të reduktuar emetimet e gazeve serrë me 40 për qind deri në vitin 2030.
Me këtë reformë, një amerikan do të marrë deri në 7500 dollarë për blerjen e një automjeti elektrik. Qeveria do të marrë pjesë me 30 për qind për vendosjen e paneleve diellore në çati.
Teksti parashikon gjithashtu 64 miliardë dollarë investime në shëndetësi dhe ulje graduale të çmimeve të disa ilaçeve, të cilat mund të jenë deri në dhjetë herë më të shtrenjta se në vendet e tjera të pasura.
Megjithatë, disave iu desh të hiqnin dorë nga ambiciet për kopshte dhe universitete publike falas dhe kujdes më të mirë për të moshuarit.