Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka akuzuar pushtetin se po synon të kapë tri segmente të rëndësishme të shtetit. Sipas tij, ata nuk mund të bëhen pjesë e një agjende ku votohen ligje kundër-kushtetuese, andaj edhe lëshuan sallën e improvizuar plenare të seancës së sotme. Deputeti opozitar tha se Projektligji për zyrtarët publikë, Projektligji për Këshillin Prokurorial dhe Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, cenojnë edhe rrugën euro-integruese të Kosovës.
Selmanaj paralajmëroi se në rast se miratohen nga mazhoranca, do t’i dërgojnë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, qasja e pushtetit për LDK-në, është kundër proceseve integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe zotimeve kushtetuese të Kosovës.
Ai theksoi se tri projektligjet cenojnë rendë sistemin politik dhe shoqëror në Kosovë.
Krahas kësaj, Selmanaj tha se paraqitja e djeshme e kryeministrit, Albin Kurti në Bruksel në kuadër të dialogut ishte taktizim për konsum të brendshëm.