Selimi përfundon dëshminë: Procedurat hetimore ndaj meje kanë pushuar
Lajme
Lexohet për: 4 min.
sylejman-syla-130225
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sylejman Selimi ka përfunduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë. Për katër ditë, në gjykatore ai është përgjigjur në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, avokatëve mbrojtës dhe trupit gjykues, rreth Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Ai pohoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka pasur kompetencë për ndalimin apo mbajtjen e personave.

Lidhur me ketë, Selimi është përgjigjur në pyetjet e avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, si dhe mbrojtjes së Kadri Veselit, Rodeny Dixon.

Pjesë nga seanca:

Selimi: Sa i përket zonës, zona i ka pasur kompetencat në zonën operative te Drenicës, kurse sa i përket arrestimit, Shtabi i Përgjithshëm nuk e ka pasur këtë kompetencë, ose ndalimin e tyre, asnjëherë nuk është mbajtur një takim që këta me u arrestu.

Dixon: A mund të konfirmoj që ju nuk keni pasur asnjë rregullore nga Shtabi i Përgjithshëm apo nga ndonjë burim tjetër, lidhur me mënyrën se si te ndaloheshin personat, kush ishte përgjegjës, çfarë roli kishte policia ushtarake, apo i palëve të tjera ne këtë proces, a është e saktë kjo?

Selimi: Po.

Dixon: Pra ju nuk keni pasur asgjë me shkrim apo me gojë nga Shtabi i Përgjithshëm, lidhur me ketë temë, a është e saktë kjo?

Selimi: E saktë.

Gjatë dëshmisë, Selimi është ndalur më gjatë te Shtabi i Përgjithshëm duke thënë i njëjti ishte pothuajse inekzistent, “një shtab më shumë politik e logjistik sesa operacional”.

“Ne po flasim për një shtab pothuajse inekzistent, një shtab më shumë politik ose një pjesë edhe logjistik, sesa një shtab operacional me anëtarë të cilët janë të përhershëm ose me anëtarë të cilët e kanë një adresë ose një shtab që e ka një strukturë, një sallë operative, disa oficerë që e menaxhojnë situatën në luftë. Ne fatkeqësisht këtë nuk e kemi pasur, as nuk e kam parë asnjëherë të organizuar në nivel të tillë dhe kjo ka bërë që shumë komandantë të zonave në teren t’i marrin vendimet vet, të shohin situatën vet, të përgjigjen vetë”, tha Selimi.

Të enjten, Selimi tha se komandanti legjendar, Adem Jashari, ka qenë figura kryesore emblematike e UÇK-së.

Nuk ka marr urdhra nga shtabi i përgjithshëm por ka dhenë urdhra ose është konsultuar me shtabin e përgjithshëm, me njerëz të cilët i ka njohur. Adem Jashari nuk ka mundur të marrë urdhra nga dikush tjetër, Adem Jashari ka qenë komandant kryesor, pa Adem Jasharin nuk mund të kishte UÇK. Adem Jashari ka qenë figura kryesore elmbematike e UÇK-së, Shtabi i Përgjithshëm është në bashkëpunim me Ademin dhe gjithë të tjerët, por figura kryesore është Adem Jashari”, tha ai.

Pas intervistimit nga turpi gjykues dhe pyetjeve shtesë nga avokatët mbrojtës, Selimi e përfundoi dëshminë e tij në Hagë.

“Gjatë procedurës pranë Dhomave të Specializuara, kam pasur edhe statusin e personit të dyshuar. Me këtë rast, dëshiroj të informoj publikun se të gjitha procedurat hetimore ndaj meje kanë pushuar”, tha Selimi në një deklaratë për media.

Selimi e ka nisur dëshminë të hënën, si dëshmitar me kodin 04290 dhe atij i është dhënë garanci se nuk do të ndiqet penalisht për dëshminë e tij.

Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ka nisur në prill të vitit 2023 ndërkaq, ata po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit prej nëntorit të vitit 2020.

Ndaj tyre rëndojnë akuza për krime të pretenduara të luftës.

Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës./KosovaPress

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim

https://kosovapress.com/deshmia-e-selimit-ne-hage-pyetet-per-nivelet-komanduese

https://kosovapress.com/selimi-si-komandant-zone-nuk-e-kam-ditur-si-ka-qene-i-organizuar-shtabi-i-pergjithshem

https://kosovapress.com/avokati-i-veselit-nje-grumbull-dokumentesh-kane-ardhur-nga-beogradi

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025